Ballina Aktualitet Rajoni Kryeprokurorja Arta Marku i nënshtrohet Vettingut

Kryeprokurorja Arta Marku i nënshtrohet Vettingut

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme Arta Marku është zyrtarja e radhës nga sistemi gjyqësor që i nënshtrohet ligjit të Vettingut. Në seancën e sotme dëgjimore, kryeprokurorja Marku nuk ishte e pranishme në seancë, por përfaqësohej nga avokatja e saj. Nga verifikimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, rezulton se Arta Marku ka bërë deklarim të saktë të pasurisë në ILDKPKI.

Kryeprokurorja rezulton të ketë në zotërim 1/2 e një apartamenti prej 103 metër katrorë në Shkodër me vlerë 5 milionë Lekë, një tjetër apartament 60 metër katrorë po në këtë qytet, 25% të të cilit e zotëron bashkëshorti i saj, si dhe burime të tjera financiare. Gjithashtu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se raporti i DSIK vlerëson aftësitë profesionale të kryeprokurores Marku si të përshtatshme për të qëndruar në sistemin gjyqësor.

KPK i ka kërkuar Arta Markut edhe shpjegime për metodologjinë që ka përdorur për ristrukturimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe komandimet në detyrë të prokurorëve. /tvklan.al