Një shqiptar nga Kosova i ka bërë 43 vjet punë në një plantacion pemësh në Zvicër, por sot nuk e gëzon të drejtën e pensionit.
67 vjeçari Shaban Haziri për këtë stazh pune ka marrë pension vetëm tetë muaj në vitin 2016. Pensionimi i tij ishte i rregullt, pasi e kishte arritur moshën e pleqërisë. Por, pas kthimit të tij në Kosovë i është ndërprerë pensioni.
Ai thotë se vetë zyrtarët komunalë në Zvicër i kishin propozuar që të kthehej në Kosovë, pasi shuma e parave që i merrte nga pensioni nuk ia mbulonte shpenzimet e mëdha.
Por, me kthimin e tij në vendlindje iu ndërpre edhe pensioni. Haziri thotë se është pa shkollë dhe zyrtarët zviceranë edhe kanë mundur t’ia kërkonin nënshkrimin e ndonjë dokumenti pa e ditur përmbajtjen e tij.