Këto komente ai i bëri gjatë një debati me përfaqësuesit e komunave nga Serbia: Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku u diskutua rreth problemeve të atjeshme dhe zgjidhjeve që mund të priten.
“Arsyeja pse mendojmë se bëhet fjalë për mashtrim të ri është se ideja për shkëmbim territoresh apo korrigjim të kufijve më shumë është në funksion të një lloj krijimi të atmosferës, ku një status special për veriun e Kosovës bëhet më i kollajshëm në emër të një premtimi për kompensim në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, i cili nuk do të ndodhë”, tha Kurti.
Sipas tij, motivet e palëve në dialogun e Brukselit nuk kanë të bëjnë as me serbët në Kosovë dhe as me shqiptarët në Serbi, porse ndërlidhen me motivet e Beogradit që sa më shpejt të përafrohet me BE-në, kurse për lidershipin e Kosovës që të jetë sa më larg Gjykatës Speciale.