Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do të mbajë seancë në të cilën deputetët do t’i parashtrojnë pyetje kryeministrit dhe ministrave. Kjo seancë zakonisht mbahet çdo të enjten e fundit të muajit, por për shkak të udhëtimit të kryeministrit Zoran Zaev u shty për sot. Sipas praktikës të parët do të parashtrojnë pyetje deputetët e opozitës.
Presidenti i Kuvendit Talat Xhaferi sot duhet që të mbajë takim të rregullt të cilin e mban çdo të hënë me koordinatorët e grupeve parlamentare, dhe pas kësaj do të publikohet nëse më 5 apo më 6 korrik do të mbahet seanca në të cilën sërish do të votohet ligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë për kontestin me emrin.
Xhaferi këtë e paralajmëroi në takimin me gazetarët që u mbajt të premten, pasi presidenti Gjorge Ivanov e kthehu ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes pa nënshkrim të Dekretit dhe me arsyetimin për arsyet se pse e bën këtë. Xhaferi në takim potencoi se nëse për herë të dytë presidenti i shtetit nuk e nënshkruan dekretin dhe kjo u bë praktikë, do të përdoret e njëjta zgjidhje edhe për Marrëveshjen, por edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Një nga zgjidhjet është që ata të dërgohen në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e presidentit Gjorge Ivanov.
Këtë javë pritet të gjendet zgjidhje edhe lidhur me përbërjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Duhet të konvokohet seancë e Komisionit lidhur me çështjet për zgjedhjet dhe emërimet dhe të njoftohen emrat e anëtarëve të saj. Në opinion tashmë qarkullojnë emrat e kandidatëve potencialë.
Më pas ata duhet që të votohen në seancë kuvendore. Xhaferi tha se nëse njoftohet se partitë kanë nominuar anëtarë, mund të konvokojë seancë urgjente plenare gjithashtu këtë javë. Nëse kjo nuk ndodh, seanca e ardhshme plenare është planifikuar për më 17 korrik.
Kuvendi duhet që të përzgjedhë anëtarë të KSHZ-së, duke pasur parasysh paralajmërimet për mbajtjen e referendumit për emrin i cili për tu mbajtur në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit duhet që të shpallet deri në fund të korrikut. Referendumi mbahet 60 deri 90 ditë nga marrja e vendimit të Kuvendit.
Përveç anëtarëve të KSHZ-së, Kuvendi duhet që të japë dritë jeshile edhe për drejtorin e Agjencisë Operativo-Teknike, për të cilin shpallja përfundoi para shumë kohësh, si dhe të zgjedhë anëtarë të disa trupave dhe agjencive të tjera.