Britania është shprehur e gatshme të dyfishojë fondet për Ballkanin Perëndimor, me qëllimin t’i vihet në ndihmë vendeve të rajonit për të përballur sa më mirë kërcënimet ndaj progresit të tyre, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Ishte vetë kryeministrja Theresa May, ajo që i bëri këto komente në Londër, ku Samiti i Ballkanit Perëndimor zhvillohet me pjesëmarrjen e 6 liderëve rajonale si dhe figura europiane jashtë tij, si kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministrin polak, Mateusz Moraëiecki. Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati u shpreh se prekja e çështjeve të tilla si ajo e sigurisë në një event të tillë, ishte një risi.
Takimi i nivelit të lartë është i pesti në kuadër të Procesit të Berlinit, i krijuar në vitin 2014, me qëllim thellimin e lidhjeve mes Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së.
Londra shpjegon se takimi synon të rrisë stabilitetin ekonomik të rajonit, të forcojë bashkëpunimin e sigurisë dhe të lehtësojë bashkërendimin politik.
Britania duhet të dalë nga Bashkimi Europian marsin e vitit të ardhshëm, por May këmbëngul se premtimet e fundit janë tregues i angazhimit afatgjatë të qeverisë britanike në këtë rajon. Historia, deklaroi ajo, e ka treguar se një Ballkan Perëndimor i sigurtë e i stabilizuar e bën më të qëndrueshme e të sigurt të gjithë Europën.
Rritja e nivelit të fondeve në 80 milionë paund apo 107 milionë dollarë do të shtojë, në këndvështrimin e May-t numrin e personelit të sigurisë në rajon dhe përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar.
Johanes Hahn, një nga referuesit më të rëndësishëm në këtë event, thotë se është arritur shumë deri tani në kuadër të procesit të Berlinit, i cili ka kontribuar për krijimin e një vizioni të ri mbi rajonin.
Hahn theksoi edhe një herë së bashkëpunimi rajonal mbetet i një rëndësie kyçe për rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt bllokut europian./Tch/