Takimi në klubin e deputetëve do t’i mbledh pasdite liderët e të gjitha partive politike. Të gjitha subjektet parlamentare kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ky takim pritet t’i përafroj qëndrimet mes pushtetit dhe opozitës rreth Komisionit Shtetëror të Zgjedhor dhe organizimit të referendumit. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti vlerëson takimi do të ketë epilog konstruktiv dhe se opozita do të heq dorë nga bllokadat.
Tash për tash gjërat janë duke shkuar mirë. Do të shohim sonte gatishmërinë por edhe pikëpamjet e opozitës. Sigurisht opozita duhet të jetë pjesë e zgjidhjes – u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
I pyetur për veprimin e Qeverisë ditë më parë, e cila propozoi ndryshime në Kodin Zgjedhor më qëllim zhbllokimin e procedurës parlamentare për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së, Ahmeti theksoi se ka disa modalitete që mbeten në lojë si plan “B” nëse takimi i sotëm nuk sjell moment të ri, por pa saktësuar se cilat janë ato. Sa i përket referendumit, Ahmeti theksoi se çdo mendim duhet respektuar, duke kujtuar se zgjidhje tjetër nuk ka për Maqedoninë.
Takimi i sotëm i liderëve është i pari takim i cili mbledh bashkë të gjithë liderët e partive politike, madje edhe të atyre që në Kuvend përfaqësohen me nga një ose dy deputetë. Më herët, praktikat kanë dëshmuar se takimet e tilla janë bërë vetëm mes liderëve të katër partive më të mëdha politike. Ky takim ka për qëllim që aktorët politik t’i unifikojë në prag të referendumit të vjeshtës, ndërsa në të njëjtën kohë të gjejë edhe gjuhën e përbashkët me opozitën e cila përmes Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, po bllokon zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së dhe me këtë edhe shpalljen e referendumit. Në rast se takimi i liderëve nuk do të ketë efekt në zhbllokimin e KSHZ-së, pushteti ka njoftuar tashmë se që nesër do të vazhdojë procedurën parlamentare për ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor.
Adrian Kerimi