Qeveria e Malit të Zi e mbrojti kontributin e saj në paqe teksa iu përgjigj një sulmi verbal të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se malazezët janë “agresivë” dhe se mund të nxisin Luftën e Tretë Botërore.
Në deklaratën e publikuar të enjten, Qeveria malazeze tha se është krenare për historinë e vendit të saj dhe se aleanca e saj me SHBA-në është e fuqishme dhe e përhershme.
“Mali i Zi ka qenë vendi i parë në Evropë që i ka rezistuar fashizmit dhe sot, si anëtar i ri i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ai i kontribuon paqes dhe stabilitetit jo vetëm në kontinentin evropian, por në gjithë botën”, thuhet në deklaratë, transmeton REL.
“Mali i Zi është i gatshëm që me guxim të mbrojë interesat kombëtarë. Në botën e sotme, nuk ka rëndësi se sa i vogël apo i madh je, por në çfarë mase i respekton vlerat e lirisë, solidaritetit dhe demokracisë”, thekson deklarata.
Në intervistën dhënë Televizionit Fox News, më 17 korrik, Trump tha se malazezët janë të fuqishëm dhe “shumë agresivë” dhe se ai druan se ata mund ta tërheqin aleancën e NATO-s në Luftë të Tretë Botërore.
Mali i Zi është anëtarësuar në NATO në qershor të vitit 2017, duke shënuar një kthesë historike gjeopolitike drejt aleancës transatlantike, me gjithë kundërshtimet e fuqishme të Rusisë.