Procesi i rishikimit paraqet një tregues shumë të mirë për detektimin e të gjitha anomalive që paraqiten në realizimin e reformave që kërkohen nga Brukseli para se Maqedonia të fillojë bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, thonë për Radion Evropa e Lirë njohësit marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ndryshe, Maqedonia brenda një viti pritet të përfundojë procesin për vlerësimin e përmbushjes së reformave apo siç quhet dhe ndryshe procesi i skriningut, përkatësisht ky proces duhet të përfundojë para fillimit të bisedimeve për anëtarësim e vendit në BE, në qershor të vitit të ardhshëm.
Përmes procesit të skriningut, kontrollohet niveli i gatishmërisë së vendit që të zhvillojë negociata. I gjithë procesi ka 35 kapituj që përshijnë shumë institucione shtetërore dhe drejtori. Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia me tërë kapacitetin e saj duhet t’i qaset procesit të sepse pikërisht ky raport do të merret si bazë për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane. Kacarska thotë se pjesa më e vështirë e procesit janë kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësorë, sigurinë dhe të drejtat themelore.
“Procesi i vlerësimit të këtyre dy kapitujve, përkatësisht kapitullit 23 dhe 24 është me një rëndësi të madhe, sepse si pjesa më e ndjeshme në zbatimin e ligjeve llogaritet pikërisht sektori i drejtwsisw dhe të drejtat themelore. Fillohet me këta dy kapituj, ndryshe nga përvoja kroate dhe ato mbeten të hapura derisa të mos përfundoj procesi i anëtarësimit”, thekson Kacaska. Njohësit e integrimeve gjithashtu theksojnë se liritë themelore janë vështirë të zbatueshme me ligjet ekzistuese andaj nevojiten reforma thelbësore në këtë drejim që janë të patjetërsueshme për Maqedoninë për të përmbushur detyrimet e përcaktuara nga BE.
Nga ana tjetër, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë për Radion Evropa e Lirë thotë se është e kuptueshme se administrata e Maqedonisë e ka më të vështirë procesin krahasuar me vendet e tjera të cilat e kanë kaluar rrugëtimin drejt anëtarësimit, për faktin se pjesa më e madhe e të punësuarve në administratë janë futur përmes çelësit partiak dhe jo aftësive dhe vlerave profesionale megjithëse shton se institucionet shtetërore kanë mundësi që të angazhojnë edhe ekspertë të jashtëm.
“Gjithsesi, Maqedonia si shtet gjithë këtë proces e ka më të vështirë sepse doli prej një shteti me institucione të kapura sepse në strukturat shtetërore ka shumë administratorë që nuk kanë hyrë aty sipas sistemit meritorë, por kuadër partiak. Gjithsesi, nuk është një diçka si problem që nuk mund të tejkalohet, sepse mund të angazhohen edhe ekspertë të jashtëm. Do të jetë obligim i qeverisë që në postet kyçe të vendosë profesionist, persona që do të krijojnë struktura që do të dinë të realizojnë skriningun”, thotë Musliu.
Procesi i skriningut në Maqedoni filloi në fillim të javës që po e lëmë pas, përkatësisht të hënën, një ditë para se në Maqedoni të qëndrojë zyrtarisht komisionari evropian për zgjerim dhe fqinjësi Johannes Hahn, i cili në Shkup ka përsëritur rëndësinë e realizimit të reformave si rrugë e vetme përmes së cilës Maqedonia mund të arrijë në BE.