Katër javë me radhë autorja jonë, e cila ka origjinë kroate, përkrahu ekipin kroat të futbollit, i cili në Kupën Botërore zuri vendin e dytë – por që nga pritja festive në Zagreb ajo është vetëm e neveritur. – Një kolumnë në magazinën e «Süddeutsche Zeitung».
Nga Danijela Piliç
Zagrebi para dy ditësh: kryeqyteti kroat ishte çmendur. Qindra-mijëra njerëz me katrorë kuq-bardhë vërshuan rrugët. Me më shumë entizuazëm s’ka qenë e mundshme të pritet ekipi i tyre kombëtar i futbollit, «vatreni», të «zjarrtit»; ishte tërësisht e parëndësishme që një ditë më herët ekipi kishte humbur finalen në Moskë kundër Francës. Aq shumë shpirt luftarak dhe forcë, aq shumë përkushtim për të arritur qëllimin dhe guxim dhe qëndrueshmëri treguan këta djem të ashpër nga ky vend i vogël, në të cilin jam lindur edhe unë. Gjatë tërë Kupës Botërore i kam shikuar me qejf dhe i kam përkrahur, dhe me shkathtësi i kam tejkaluar dhe injoruar lajmet se në zhveshtore ata dëgjojnë muzikë të fashistit dhe ultranacionalistit Thompson. Kjo s’duhej lejuar: që të ma prishin triumfin sportiv.
Autobusit të hapur iu deshën pesë orë e gjysmë nga aeroporti deri te Sheshi Ban Jelaçiq në qendër të Zagrebit. Në autobus ishte – sipas dëshirës së lojtarëve, para së gjithash Luka Modriqit – edhe Marko Perkoviqi, i njohur si Thompson, më vonë ai doli edhe në skenë dhe këndoi. Kjo është e turpshme dhe e neveritshme dhe në Gjermani me gjasë do të ishte e kundërligjshme. Perkoviq këndon këngë të cilat lartësojnë kampin e shfarosjes Jasenovac dhe regjimit nazist të ustashëve, ai këndon përshëndetjen e ustashëve «Za dom spremni! Për shkak të përmbajtjeve fashiste koncertet e tij shpesh ndalohen në Itali, Holandë dhe Zvicër, edhe qyteti kroat i Rijekës në prill ndaloi një koncert të tij – derisa në mënyrë absurde prapë u lejua dhe u mbajt.
Përse «vatreni» («të zjarrtit») dëshironin që ai të ishte bashkë me ta? Çfarë mesazhi duan të përçojnë? Të bëjmë pak një krahasim ndjenjash: të përfytyrojmë se ekipi gjerman gjatë festimeve në Berlin në vitin 2014 do të kishte ftuar në skenë një grup skinheadësh nazistë dhe do të luante rock-muzikë me ta.
Përherë predikohet se sporti dhe politika nuk duhet të përzihen, por kjo nuk ka të bëjë gjë me jetën dhe askund tjetër më shumë se në Ballkan. Këta sportistë të cilët jetojnë në Madrid apo Barcelonë e bëjnë më të pranueshëm nacionalizmin në Kroaci se ç’është tashmë, për fat të keq. Këta heronj të shndritshëm kështu e barazojnë ballafaqimin urgjentisht të nevojshëm me historinë më të re kroate me tradhti ndaj dashurosë për vendin. Ata i përçajnë njerëzit në gëzimin e tyre, i turpërojnë të mençurit, të cilët në mënyrë masive po e braktisin vendin. Zërat kritikë mbahen të izoluar dhe me zë të ulët. Një aktore e njohur kroate pas paraqitjes së Thompsonit shkroi në Facebook: «Ne kemi qejf që në fund t’ia dhiejmë punën», por pastaj ajo u kërcënua aq shumë, saqë ndërkohë e ka fshirë postimin e saj.
Unë jam shtetase gjermane, por bij e një nëne serbe dhe një babai kroat dhe këtë turp e ndjej si një top futbolli që godet nën brez: kjo të dhemb. Është njëjtë si kur dashurohesh marrëzisht dhe befas e zbulon se ai tipi e bart kryqin nazist si tatuazh. Nuk mbetet një shije e keqe apo përshtypje e hidhur. Mbetet diçka më shumë: Ky aksion në Zagreb ka shkatërruar gjithçka – shumë më tepër se dashurinë e zjarrtë mes meje dhe të zjarrtëve. Me gjasë ata edhe pa mua ia dalin. Unë pa ta gjithsesi. Ndoshta nuk duhet përzier futbollin me politikë, por as ai nuk funksionon ma një grimë ndershmëri.