Ballina Bota Pompeo: Rusia do të përpiqet t’i minojë demokracitë perëndimore

Pompeo: Rusia do të përpiqet t’i minojë demokracitë perëndimore

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se beson se Rusia do të përpiqet t’i minojë demokracitë në gjithë botën në të ardhmen e afërt.

“Është përgjegjësia jonë si udhëheqës të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të bëjmë gjithçka të mundur për ta penguar ndërhyrjen e saj, jo vetëm në zgjedhjet tona, por edhe më gjerë”, tha Pompeo në një intervistë për Fox News.

Komentet e tij vijnë pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, takoi presidentin rus, Vladimir Putin, në Helsinki.

Trump shkaktoi zemërim në Uashington pasi në konferencën e përbashkët për media me Putinin, ai refuzoi të mbështesë vlerësimin e agjencive amerikane të inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Trump më pas tha se është keqinterpretuar.

“Presidenti e di se çfarë ka bërë Rusia në zgjedhjet tona më 2016 dhe ai ka kërkuar nga secili prej nesh që të sigurohemi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë sërish në zgjedhjet e vitit 2018 apo 2020, këtu në SHBA”, tha Pompeo, i cili ka shërbyer si drejtor i CIA-s përpara se të dilte në postin aktual, disa muaj më parë.