Duket se romanca mes SHBA dhe Koresë së Veriut po i afrohet fundit, pasi Peniani e cilësoi “për të ardhur keq” sjelljen e Uashingtonit gjatë bisedimeve të fundit për programin e saj bërthamor.
Televizioni publik KCNA, duke përcjellë një komunikatë zyrtare, kundërshtoi versionin e sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo që më herët tha se ishte bërë progres gjatë vizitës së tij, shkruan TCH.
Në komunikatën e Koresë së Veriut thuhej se SHBA kishte vepruar ndesh atmosferës së samitit mes presidentit Donald Trump dhe Liderit Kim Jong Un, duke ushtruar presion të njëanshëm ndaj Penianit për të braktisur armët bërthamore.
Në fakt, vetë qëllimi i vizitës së Pompeos ishte që të sqaronte angazhimin e Koresë së Veriut për çarmatosjen bërthamore, duke qenë se për këtë çështje ka mjaft paqartësi.
Që pas samiti mes Trump dhe Kim, analistët thanë se SHBA dhe Koreja e veriut kanë dy këndvështrime të ndryshme për atë që u arrit dhe zhvillimet e fundit konfirmojnë pikërisht këtë.
Samiti historik mesa duket nuk ishte aq historik sa mendohej me palët që janë kthyer shpejt në pozicionet e mëparshme.
Pasi nxitoi të thoshte se Koreja e Veriut nuk ishte më kërcënim bërthamor, vetë presidenti Trump me gjysmë zëri pranoi se marrëveshja zor se do të kishte sukses, ndërsa firmosi rinovimin e sanksioneve ndaj Penianit.