“Përkundër faktit që kam pasur disa oferta joformale për nominim, si kandidat i BDI për deputet dhe më pas ministër, por nuk kam pranuar për arsye parimore të jem pjesë e ekzekutivit në krye me Branko Cërvenkovskin, njeriun që ekzekutoi krimin mbi qytetin tim në kohën kur unë isha njeriu i parë i tij”, theksonte në këtë intervistë ekskluzive për FAKTI-n në vitin 2004, ish-kryetari i komunës së Gostivarit, dr.Rufi Osmani.
Fakti: Që nga ngjarjet tragjike të Gostivarit të vitit 1997 dhe pas daljes nga burgu i Idrizovës, ju vazhdoni të jeni jashtë proceseve politike në Maqedoni. Opinionit më të gjerë shqiptar nuk ia sqaruat arsyet e vërteta të abstenimit tuaj nga skena politike shqiptare?
Osmani: Është e vërtetë se ka pasur dhe ka dilema për arsyet e vërteta të tërheqjes sime nga skena politike. Arsyet e tërheqjes sime nga skena politike janë të disa natyrave: politike, shëndetësore dhe për shkak të ndërrimit të prioriteteve profesionale.
Para daljes sime nga burgu i Idrizovës ish-partia ime (PDSH) kishte bërë diferencimin e plotë ideopolitik të bazës sime politike në Gostivar duke filluar nga strukturat partiake, komunale dhe institucionet qendrore duke u prirë nga motoja të margjinalizohen të gjithë personat që ishin lojalë ndaj disidentit politik të Gostivarit.
Duke pasur mospajtime të thella konceptuale politike me udhëheqësit e kësaj partie edhe para ndodhive të Gostivarit dhe duke qenë i bindur se rikthimi im në këtë strukturë mund të kishte për pasojë margjinalizimin dhe “konsumimin e menaxhuar politik”, vendosa që të jem larg kësaj strukture politike që funksiononte si pronë private tërësisht e uzurpuar nga një ose dy persona. Përndryshe më duhet me këtë rast të theksoj se gjatë tërë kohës së të qenët në pozicione të një analisti të pavarur politik kam qenë në mënyrë të vazhdueshme i kërcënuar verbalisht nga njerëz primitivë dhe vulgarë të kësaj strukture politike.
Fillimi i kryengritjes së armatosur të vitit 2001 nuk mundej të më lente politikisht indiferent. Me iniciativën time dhe të njerëzve që vazhdonin të kishin besim në personalitetin tim themeluam fondin financiar vullnetar në nivel të komunës së Gostivarit. Krahas asistencës së konsiderueshme financiare pro kryengritjes së armatosur në mënyrë permanente takoja diplomatë nga më të ndryshmit dhe në mënyrë permanente manifestoja opinionit e mia publike gjatë vitit 2001 në mediat e vendit dhe të jashtme.
Me Ahmetin njihem që nga koha e studimeve
Fakti:- A keni pasur kontakte me udhëheqësit e UÇK-së gjatë vitit 2001?
Osmani: Me udhëheqësin e ish-UÇK-së gjatë kohës së luftës kam pasur disa takime pune në të cilat kemi biseduar rrjedhat e luftës, kërkesat politike, alternativat e kompromisit politik dhe angazhimin politik të pasluftës. Përkundër faktit që me z. Ali Ahmeti njihem që nga koha e studimeve (viti 1981), takimet e vitit 2001 më përforcuan bindjen time se unë dhe udhëheqësia e ish-UÇK-së jemi tepër të ndryshëm në kuptimin dhe zbatimin e politikës. Për pasojë edhe pse unë gjatë kohës së luftës isha në radhët e tyre me kontributin tim modest, politikisht nuk u rreshtova pas BDI-së.
Fakti: Më pas BDI-ja ju ka ofruar poste, pse nuk pranuat?
Osmani: Përkundër faktit që kam pasur disa oferta joformale për nominim si kandidat i BDI për deputet dhe më pas ministër nuk kam pranuar për arsye parimore të jem pjesë e ekzekutivit në krye me Branko Cërvenkovskin, njeriun që ekzekutoi krimin mbi qytetin tim në kohën kur unë isha njeriu i parë i tij.
Duke qenë i vetëdijshëm se koalicionet qeverisëse lidhen në mes të dy partive fitimtare të etnive alternative ishte krejt normale që Rufi Osmani të mos jetë pjesë edhe e kësaj garniture qeverisëse. Përndryshe për hir të së vërtetës më duhet të them se në ndërkohë në masë të konsiderueshme rehabilitova shëndetin tim, krahas mbrojtjes së magjistraturës dhe doktoraturës duke zhvilluar paralelisht një biznes mesatar nga i cili për më shumë se 8 vjet mbaj familjen time.
Fakti: Secila parti e re politike që dilte në skenë, emri juaj përmendej si njëra nga shtyllat kryesore të saj. Ju ende nuk i jeni ofruar asnjë partie politike. Pse?.
Osmani: Në parim bëhet fjalë për parti të reja, por me liderë të vjetër politikë dhe me programe politike të cilat në mënyrë cilësore nuk dallojnë nga programet e partive politike shqiptare me stazh politik. Edhe gjatë bisedave me personat që kanë marrë guximin për të promovuar alternativat e vjetra-të reja politike kam pasur bindjen se aktualisht këta persona nuk kanë ofertë serioze politike dhe se formësimi i një subjekti të ri serioz politik është një projekt shumë më i ndërlikuar sesa një dëshirë e promovimit personal të cilitdo personi. Një projekt serioz alternativ politik kërkon njerëz të ditur dhe të ndershëm, ide të reja ekonomike dhe politike, mjete të mjaftueshme financiare dhe kohë të qëlluar. Asnjëri nga këto kritere nuk është plotësuar nga të gjitha partitë e reja të cilat kanë dalë në skenën politike së fundi.
Personalisht nuk jam i bindur se inkuadrimi im i serishëm në politikë nëpërmjet të ndonjë subjekti të ri politik do t’i kontribuonte konsolidimit të subjektit politik shqiptar. Jam i bindur se rikthimi im në politikë do të prishte shumë hesape politike të pushtetit dhe opozitës shqiptare, por kjo nuk do të ishte e mjaftueshme që në këtë fazë ky subjekt të ngadhënjente politikisht. Nuk jam i interesuar të kem fatin politik të Ilir Metës ose të Veton Surroit në skenën politike te shqiptarëve të Maqedonisë.
Fakti: Por, megjithatë ju nuk jeni i shkëputur tërësisht nga vëzhgimi kritik i zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend. Në çfarë rruge, sipas jush, është duke ecur procesi i realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni?
Osmani: T’ju them të drejtën në parim nuk jam person i depolitizuar sepse pavarësisht nga fakti se a merresh me politikë, politika merret me ty dhe përcakton në masë të konsiderueshme kornizën dhe fatin jetësor. Kohë pas kohe kam shprehur opinionet e mia në veçanti në situata të rëndësisë së veçantë.
Duhet të konstatoj me korrektësi se kryengritja e armatosur shqiptare dhe rezultati i saj Marrëveshja e Ohrit pavarësisht nga mangësitë që i ka janë ndodhitë kulmore politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo marrëveshje transformoi shqiptarët nga një pakicë kombëtare në një status që politikisht mund ta pagëzojmë si, “hibrid politik” thënë ndryshe “më pak se komb më shumë se pakicë kombëtare”.
Disa institucione funksionojnë vetëm maqedonisht
Fakti: Çfarë pasojash ka për shqiptarët ky “hibrid”?
Osmani: Pikërisht ky pozicion hibrid politik i shqiptarëve ka për pasojë këto paradokse: gjuha shqipe është zyrtare por vetëm në nivel lokal, parlamenti është konsensual, por vetëm në nivel kulturor, përfaqësimi adekuat është i garantuar juridikisht, por realizimi praktik është afatgjatë, shteti është formalisht multietnik, mirëpo të gjitha nishanet shtetërore si flamuri, stema, paraja, diplomacia, policia, ushtria, dogana, administrata qendrore kanë tipare ekskluzive maqedonase dhe funksionojnë vetëm maqedonisht ….
Analizuar nga këndvështrimi i mësipërm statusi politiko-juridik i shqiptarëve në Maqedoni është dukshëm më i avancuar në raport me periudhën paraprake, mirëpo i njëjti është larg për të qenë i ekuilibruar me maqedonasit pavarësisht nga entuziazmi politik i Ali Ahmetit ose pesimizmi i skajshëm i ndonjë lideri opozitar shqiptar.
Fakti: Sa jeni të kënaqur me realizimin e Marrëveshjes së Ohrit?
Osmani: Personalisht mendoj se dinamika e pamjaftueshme e realizimit praktikë të Marrëveshjes së Ohrit është përgjegjësi ekskluzive e menaxhimit jocilësor politik të BDI-së përkundër faktit, që procesi i transformimit nga “terroristë alias kryengritës” në “integristë institucionalistë” është shoqëruar me vështirësi të konsiderueshme.
Fakti: Si do të vlerësoni pjesëmarrjen e deritashme të BDI-së në qeverinë aktuale nga këndvështrimi i përmbushjes së kërkesave politike të shqiptarëve në Maqedoni?
Osmani: Për të mos qenë subjektiv dhe nihilist duhet të konstatoj me objektivitet me sa vijon: BDI ka rezultate shumë më të mëdha politike në plan institucional në krahasim me të gjitha partitë politike shqiptare pjesëmarrëse në qeveritë paraprake.
Në kuadër të të arriturave politike vlen të përmenden: Zyrtarizimi i UT, Projekti i decentralizimit lokal dhe riorganizimi territorial i komunave, ligji për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar, ngritja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike dhe menaxhimi më efektiv dhe efikas i pushteteve komunale dhe i disa resorëve ministrorë. Dhe dikush do të thotë po këto janë pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, fakt ky që është i vërtetë mirëpo nuk duhet të harrohet e vërteta se pikërisht nëse nuk do të ishte kryengritja e vitit 2001 as që do të kishte Marrëveshje të Ohrit dhe as që do të mundej të jetësoheshin projektet e mësipërme.
Fakti: Opozita thotë se asgjë nuk është bërë në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit?
Osmani: Prononcimet e disa politikanëve opozitarë se kryengritja e vitit 2001 ishte tradhtia më e madhe që u është bërë shqiptarëve dhe se shqiptarët pa kryengritjen e armatosur të vitit 2001 do të kishin përfituar më shumë të drejta është anakroni e llojit të vet dhe paraqet papërgjegjësinë më të lartë kombëtare dhe politike të kohës më të re. Personalisht mendoj se përderisa UÇK-ja me mjete revolucionare transformoi shtetin e Maqedonisë, BDI-ja me fitoren në zgjedhjet politike të vitit 2002 realizoi transformimin demokratik të pushtetit duke dhënë kontribut kthesë në ndërrimin paqësor politik, proces ky që pa këtë parti ishte praktikisht i parealizueshëm.
Fakti: Në opinion publik vërejtje serioze i adresohen përzgjedhjes joadekuate kuadrore të funksionarëve të BDI-së, cili është mendimi juaj duke pasur parasysh faktin se e njihni mirë funksionimin e institucioneve?
Osmani: Po, gjithsesi kuadrot janë resursi kryesor i cili menaxhon potencialin politik, ekonomik dhe teknologjik të një vendi. Kuadrot janë potenciali i cili zbaton ose zhbën (manipulon) programin politik në kuadër të institucioneve. Më duhet të konstatoj me objektivitet se mangësia kryesore që ka afektuar vonesa të shumta dhe ka devalvuar implementimin praktik të shumë projekteve është përfaqësimi jocilësor institucional i BDI në nivelet më të larta qeveritare. Është nonsens dhe papërgjegjësi e llojit më të lartë emërimi në poste ministrash, zëvendësministrash, deputetësh dhe drejtorësh të personave me dije profesionale minore dhe pa kurrfarë përvojash institucionale bile edhe pa njohjen e gjuhës zyrtare në të cilën funksionon qeveria.
Si rezultat i një përzgjedhjeje kuadrore të kësaj natyre shumë projekte politike ,arsimore, ekonomike dhe shumë punësime në administratën publike nuk janë realizuar ose janë realizuar me shumë vonesë sepse është dashur të presin një ose dy vjet përderisa ministrat ose zëvendëskryeministri të mësojnë gjuhën maqedonase që të jenë të aftë në komunikim më institucionet.
Rrethi vicioz i BDI-së
Fakti: konkretisht si e sqaroni këtë fenomen të BDI-së?
Osmani: BDI është partia e vetme e cila personat e njëjtë së pari i bën deputet, pastaj ministra, kryetarë komunash dhe funksionarë partiakë duke funksionuar kësisoj në kuadër të një rrethi vicioz tepër të mbyllur dhe jodemokratik. Në këtë rast duhet të komplimentojë edhe punën e suksesshme të disa funksionarëve të rinj të BDI-së, po për fat ë të keq ato janë vetëm raste individuale. Për pasojë të një menaxhimi kuadror të kësaj natyre edhe BDI shoqërohet me fenomenin e nepotizmin kuadror, korruptimin e gjerë të funksionarëve, partizimin e skajshëm në procesin e punësimit në administratën publike dhe në procesin e dhënies së lejeve, koncesioneve dhe punëve publike. Për pasojë të një degjenerimi të kësaj natyre tashmë publikisht dihen “ryshfetet” për punësime në administratën publike dhe për marrjen e ndonjë punë në ankande publike nëse nuk jeni anëtarë i partive të koalicionit qeveritar.
Sfida e të sotmes dhe të nesërmes së subjekteve politike shqiptare ka të bëjë me orientimin e pjesës adekuate të konsumit buxhetor prej mbi 1,7 miliardë $ në financimin e bashkësisë etnike shqiptare dhe në transformimin funksional të institucioneve shtetërore në institucione të mirëfillta multietnike nëpërmjet avancimit të kuadrove shqiptare që janë profesionalisht të aftë dhe të ndershëm.
Fakti: Po si do ta komentoni veprimin e opozitës shqiptare. Sa e ka luajtur rolin e saj konstruktiv i cili pritet nga opozita?
Osmani: Personalisht mendoj se përkundër faktit që kemi një numër tepër të madh të partive opozitare shqiptare roli i tyre në skenën politike është kryesisht margjinal. Me sa duket partitë politike shqiptare kryesisht janë efektive kur janë në pushtet.
Partitë opozitare shqiptare tanë kohën vajtojnë humbjen e pushtetit duke akuzuar partin në pushtet për manipulime zgjedhore dhe duke harruar me atë rast se pikërisht “manipulimi zgjedhor” është zbulim i të dy partive më të mëdha opozitare shqiptare. Personalisht mendoj se partitë e reja të sapoformuara shqiptare duhet të rigrupohen në kuadër të një blloku alternativ politik dhe të funksionojnë me një zë të vetëm duke lënë anash bajraktarizmin e liderëve të vetëshpallur nëse dëshirojnë të formësojnë identitetit të mirëfilltë politik, në të kundërtën ose janë marioneta të partive më të mëdha shqiptare ose si subjekte të pavarura politike e kanë të sigurt dështimin zgjedhor. Vazhdimi i funksionimit të opozitës aktuale shqiptare nga pozicionet e mohimit verbal politik nëpërmjet një vokabulari primitiv të veprimit të pozitës aktuale pa ofertë konkrete politike-ekonomike dhe pa një menaxhim të ri kuadror do t’u përcakton rolin e opozitës edhe pas zgjedhje të ardhshme politike.
Ka persona politikë të opozitës aktuale të cilët shpresat e kthimit në pushtet i mbështesin në fitoren e opozitës maqedonase duke harruar me këtë rast se qeveritë e ardhshme të Maqedonisë do të formohen nga koalicionet e partive fitimtare të dy etniteteve pavarësisht nga provinienca ideologjike dhe se në vitin 2006 nuk do të përsëritet politikisht viti 1998.
Fakti: Një nga të arriturat më pozitive të BDI është zyrtarizimi i UT-së, si person i cili gjatë kohë keni qenë i angazhuar në këtë institucion sa çmoni se ky zyrtarizim ka mbyllur aspiratën e shqiptarëve për arsim sipëror në gjuhën shqipe.?
Osmani: Me duhet të them se zyrtarizimin e UT e kam pritur me admirim pavarësisht që ndërkohë për arsye tashmë të njohura jam i angazhuar në UEJL. Personalisht mendoj se përmbajtja konkurruese dhe jo kompatibile e USHT në raport me UEJL tashmë është një problem dhe sfidë që kërkon menaxhim në një të ardhme të afërt.
Fakti: Konkretisht?
Osmani: Mendoj se në kuadër të të dy institucioneve të arsimit të lartë shqiptar duhet të fillojë procesi i ristrukturimit cilësor në drejtim të asaj që në USHT të ngelin programet studimore që i adresohen plotësimit të nevojave publike krahas hapjes së programeve të medicinës, ndërsa në UEJL të funksionojnë kryesisht programet studimore të biznesit, shkencave kompjuteristike dhe teknike dhe gjuhët e huaja.
Mosharmozimi programor i kësaj natyre shumë shpejt do të efektuojë teprica të kuadrove në lëmin e ekonomisë, drejtësisë dhe mësuesisë së të gjitha drejtimeve pa perspektiva reale të punësimit. Krahas këtij ritsrukturimi mendoj se udhëheqësia e USHT dhe Ministria e Arsimit duhet të dislokojnë programe të caktuara studimore edhe në qytete të tjera të Maqedonisë me shumicë shqiptare si kontribut konkret në drejtim të ringjalljes arsimore dhe ekonomike të vendbanimeve në fjalë. Nëpërmjet një shpërqendrimi arsimor të kësaj natyre krahas themelimit të institucioneve hulumtuese gjegjëse do të zbutej gjendja tepër negative dhe emigrimi masiv i të rinjve shqiptarë nga këto komuna.
Rasti i ekonomisë së Maqedonisë është i veçantë
Fakti: Të ndërrojmë temë. Gjërat nuk duhet të shihen bardhë e zi. Maqedonia është vend lider në rajon dhe sipas statusit të saj në Bashkimin Evropian, pra ajo është para disa vendeve tjera të rajonit. E ka merituar këtë apo?
Osmani: Përgjigjja pozitive e Komisionit Evropian në lidhje me aplikimin e Maqedonisë duhet analizuar me kujdes. Po, Maqedonia është lidere në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në plotësimin e disa kritere ekonomike dhe politike. Por, Maqedonisë i ngelën edhe shumëçka për të bërë në pjesën e funksionalitetit të institucioneve, përfaqësimin adekuat në administratën publike, zbatimin e reformave ekonomike dhe në veçanti në arritjen e konvergjencës reale ekonomike dhe demokratike. Kjo përgjigje pozitive gjithsesi ka edhe mesazhin stabilizues dhe paqësor në dimensionin rajonal në vigjilje të mbylljes së çështjes së Kosovës. Nëse Maqedonia do të menaxhon me sukses (pa manipulime) zgjedhjet politike të vitit 2006 gjasat për integrim më të shpejt në NATO, heqja e vizave dhe qasja më përmbajtjesore në fondet financiare strukturore të UE bëhen realisht të mundshme.
Fakti: Jeni ekspert për çështje ekonomike. Sipas jush ç’duhet të bëjë qeveria që ta përmirësojë pozitën ekonomike në vend?
Osmani: Nuk ka receta te gatshme për daljen nga kriza e thellë ekonomike dhe sociale. Më duhet të konstatoj me kompetencë se rasti i ekonomisë së Maqedonisë është mjaftë i veçantë dhe dallon shumë në krahasim me ekonomit në transicion të Ballkanit Perëndimor. Përderisa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor u duhej kohë shumë e shkurtër për të dalë nga periudha e recesionit ekonomik në rastin e Maqedonisë kjo periudhë është kryesisht afatmesme dhe mjaftë e thyeshme.
Gjithsesi qeveritë alternative politike kanë përgjegjësi konkrete për dështimin e tranzicionit ekonomik dhe në veçanti të procesit të privatizimit dhe moszbatimin e reformave strukturore gjatë 15 vjetëve të tranzicionit duke u dhënë përparësi interesave koniunkturale politike në krahasim me interesat ekonomike.
Ekonomia e Maqedonisë në masë të konsiderueshme është e amortizuar në aspekt të resurseve humane, materiale, financiare dhe teknologjike që për pasojë ka humbjen e aftësisë konkurruese në raport me ekonomit tjera të rajonit dhe të UE.
Qeveria dhe pushtetet lokale mund të bëjnë shumë në drejtim të ngritjes së funksionalitetit të mirëfilltë të institucioneve te shtetit juridik, luftimin e evazionit fiskal dhe sektorit informal, të risin investimet publike, të nxisin konkurrencën bankare, të promovojnë stabilitetin politik, me një fjalë të krijojnë kornizë institucionale funksionale për tërheqjen e investimeve të huaja dhe të ndërtojnë strategji atraktive për shfrytëzimin e dërgesave devizore të emigrimit ekonomik.
Mirëpo duhet të thuhet me kompetencë se qeveria është vetëm njëra anë e medaljes pjesa tjetër e përgjegjësisë u takon qytetarëve, kompanive dhe sindikatave. Dalja nga kriza ekonomike gjithsesi parakupton edhe mbylljen pozitive të çështjes së Kosovës dhe të Malit të Zi dhe paqësimin e Ballkanit Perëndimor si tërësi, sepse vetëm si i tillë mund të jetë rajon atraktiv për investime. Personalisht mendoj se Maqedonia dhe i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për qeverisje teknike-ekspertësh sepse të gjitha qeveritë e deritashme politike kryesisht ishin të korruptuara dhe dështuan ne qeverisje me ekonomin.
Fakti: Për fund profesor Osmani nëse keni ndonjë porosi për lexuesit tanë…
Osmani: Mendoj se sa u përket shqiptarëve tashmë është e qartë se Marrëveshja e Ohrit është korniza politike e cila nuk mund të tejkalohet deri në fazën e inkuadrimit të Maqedonisë në BE, zbatimi efikas dhe pa vonesë deri në fund në kuadër të pushtetit qendror dhe lokal ngel obligim që duhet të përmbushet përfundimisht me mandatin e ardhshëm qeveritar. Është koha kur kërkohet patriotizëm arsimor dhe ekonomik dhe hapje e perspektivave zhvillimore për rinin tonë. Zgjedhjet e lira dhe demokratike të vitit 2006 janë obligim i papërmbushur i klasës aktuale politike ndaj popullit shqiptar të Maqedonisë.
Intervistë e risjellë për lexim