Ballina Aktualitet Shqipëri Sezoni turistik veror, pasiguri për pushuesit (VIDEO)

Sezoni turistik veror, pasiguri për pushuesit (VIDEO)

Konflikti që degjeneroi në përdorimin e armës në një lokal nate në Dhërmi ishte një goditje e rëndë për turizmin dhe sigurinë e pushuesve. Shumë disko dhe lokale përfshirë dhe ato në zonat turistike, nuk garantojnë siguri për klientët. Zgjidhje nuk jep as shtimi i forcave policore në plazhe.

Pavarësisht se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi se janë angazhuar rreth 1050 efektivë në 31 zona plazhi përsëri ngjarja e ndodhur në Dhërmi ka vënë në pikëpyetje rolin e uniformave blu në sytë e pushuesve.

Vija bregdetare e Jugut të vendit, duke filluar nga Vlora e deri në Ksamil, përveç fluksit të turistëve ditore ka të zhvilluar edhe jetën e natës. Lokale me muzikë live mbledhin shumë pushues, ndërsa siguria brenda ambienteve të tyre shpeshherë është në mëshirë të fatit.

E tillë ishte situata në një nga klabet e Dhërmiut. Siguria e klientëve fillon që në hyrje të lokalit. Por shumë të tillë në zona turistike nuk kanë të instaluar dedektorë metalike, pajisje që dallon personat që kanë me vete armë zjarri dhe thika.

Edhe personeli i sigurisë në shumicën e rasteve lë për të dëshiruar. “Security” ose personat e caktuar për të garantuar qetësinë brenda lokalit, janë të pacertifikuar. Në  rastin më të keq lokalet e natës nuk kanë personel sigurie. Këtë rol e marrin për sipër njerëz të afër të pronarit.

Ndërkohë roli i personelit të sigurisë në lokalet e natës është i përcaktuar me ligj të veçantë. Ky personel duhet të mbajë kontakte me sallën operative të policisë për çdo situatë që mund të dalë nga kontrolli brenda lokalit.

Agjentët  e krimeve duhet të patrullojnë herë pas herë disko problematike dhe lokale verore që kanë pasur sherre në të kaluarën. Në rastin konkret të konfliktit të ndodhur mëngjesin e së dielës në Dhërmi edhe pse policia ka të instaluar një postë policore ne qendër të kësaj zone turistike, uniformat blu, sipas dëshmitarëve, mbërritën në vendngjraje pas 15 minutash, duke vënë në rrezik jetën e shumë personave që ishin të pranishëm aty.

Më herët, në çelje të sezonit veror në Orikum të Vlorës më datë 5 Qershor, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike, Gjovalin Loka premtuan më shumë vëmëndje dhe postë policore të lëvizshme në 7 zona turistike malore për të shmangur ngjarje si ajo e tre viteve më parë, ku mbetën të vrarë dy turistë çekë./abcnews.al