Ballina Aktualitet Lajme TË BËSH BIZNES ME MBETURINA, GARË RAJONALE PËR IDENË MË TË MIRË...

TË BËSH BIZNES ME MBETURINA, GARË RAJONALE PËR IDENË MË TË MIRË PËR RICIKLIM

Mijëra ton mbeturina që grumbullohen çdo ditë në mbarë vendin, jo gjithnjë mund të shihen vetëm si

mbetje që përfundojnë në deponi. Me to mund të bëhet edhe biznes. Plastika, tekstili dhe letra nga disa njerëz shihen si lëndë e parë për prodhimin e produkteve të ndryshme.

“Kjo është ekonomi e re e gjelbër, ose qarkulluese që është shumë e njohur nëpër botë dhe ja ku po vjen edhe tek ne. Mbeturinat nuk duhet t’i shohim si diçka që na turpërojnë, ta hedhim në lumenj apo deponi, por ta shohim si lëndë e parë që duhet të ripërdoret”, u shpreh Irina Janevska – kryetare e shoqatës për inovacione sociale “Arno”.

Në 7 vitet e punës së saj, Jasmina Gllavinçevska me ekipin e saj kanë arritur të riciklojnë rreth 1 ton letër, e barabartë me 17 pemë të shpëtuara nga sharra.

“Është e punuar me dorë. Në të ka fara. Kjo letër mund të mbillet dhe nga ajo mbijë farat. Më besoni se ka burim të bollshëm të letrës si mbetje. Tani për tani burimi ynë janë të njohurit që kemi, por ideja jonë është që në të ardhmen burim të jenë fëmijët, përmes shkollave”, tha Jasmina Gllavinçevska

Përveç letrës, të riciklueshme janë edhe materialet e ndryshme të tekstilit që gjithashtu mund të ripërdoren.

“Nga materialet si mbetjet do të përpunojmë veshje për personat me nevoja të veçanta dhe nga pjesa tjetër e materialit të mbetur do të bëjmë jastëkë për kafshët endacake dhe për organizatat që merren me këto kafshë”, u shpreh Marija Mitevska – ricikluese “Pink Suport MK”.

Ide të këtilla për riciklimin e materialeve do të jenë në garë me ide të ngjashme nga disa vende të rajonit. Këtë vit finalistët do të vlerësohen në Mavrovë nga juri ndërkombëtare, ndërsa si shpërblim tre idetë më të mira do të marrin fonde të pakthyeshme prej 10 mijë dollarësh.

Përgatiti: Besir Arifi