Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se asnjëherë nuk do të ketë amnisti për ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit në Kosovë, që kanë organizuar spastrim etnik, që kanë vrarë mbi 15 mijë civilë të pafajshëm, që kanë kryer mbi 400 masakra dhe kanë dhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare.
Thaçi është shprehur se ata duhet të dalin para drejtësisë sa më shpejt që është e mundur. “Pas çdo konflikti që ndodhë, nuk është vetëm rasti i Kosovës dhe Serbisë, është diskutuar për amnistitë e mundshme. Mund të ketë diskutime në formë të përshkallëzimit të amnistisë së pjesëmarrësve në konfliktin e fundit, por një gjë dua të sqaroj se për ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit, kanë organizuar spastrimin etnik, kanë vrarë mbi 15,000 civilë shqiptarë në Kosovë, kanë kryer mbi 400 masakra ndaj popullatës shqiptare, kanë dhunuar mbi 20,000 femra shqiptare, në asnjë rrethanë nuk do të ketë amnisti.
Ata duhet të ballafaqohen me drejtësinë, duhet të ballafaqohen sa më shpejt që është e mundur. Kështu që, për njerëzit që kanë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe kanë organizuar spastrimin etnik, në asnjë rrethanë nuk do të ketë amnisti”, ka thënë Thaçi. Këto komente ai i ka dhënë gjatë një vizite në fabrikën “Kivo” në Komunën e Kaçanikut.