Ende pa nisur samiti i NATO-s në Bruksel, Donald Trump ka shfaqur pakënaqësite e tij për kontributin e aleaëeve në një deklaratë për mediat.
Fryma nuk është më e mira e mundshme për Samitin e NATO-s. Kjo u duk qartë edhe në nisjen e presidentit amerikan për Europë, ku në ndalesën e zakonshme përpara gazetarëve, Trump rikujtoi se europianët paguajnë shumë pak detyrime.
Donald Trump: NATO nuk na ka trajtuar në mënyrë të ndershme. Ne paguajmë shumë, ata paguajnë shumë pak, por mendoj se diçka do të bëjmë.
Nuk vonoi reagimi i BE. Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, tha se Trump kritikon Europën çdo ditë.
Donald Tusk : E dashur Amerikë, vlerësoi miqtë e tu, pasi në fund të fundit, nuk ke dhe aq shumë të tillë. Dua t’i kujtoj presidentit amerikan se Europa ishte e para që u përgjigj kur SHBA-të u sulmuan më 11 Shtator 2001. Ushtarët europianë luftuan sup më sup me ata amerikanë në Afganistan. 870 ushtarë të guximshëm europianë sakrifikuan jetën e tyre.
Tusk i kujtoi gjithashtu presidentit Trump që këtë ta mbajë mend në takimin e 16 Korrikut në Helsinki me Vladimir Putinin, pasi siç tha ai, është gjithmonë mirë të dish se cili është miku strategjik dhe cili është problemi strategjik.
Tv Klan