Ballina Bota Analiza Varësia e Europës nga SHBA ishte e gjitha pjesë e planit

Varësia e Europës nga SHBA ishte e gjitha pjesë e planit

Burrat e shtetit amerikanë të pasluftës, e kishin një arsye për ndërtimin e rendit botëror ashtu si është sot. Ata kishin jetuar dhe kishin parë atë çfarë kish ndodhur pa të

Nga Claire Berlisnki

Sikurse druhej shumëkush, presidenti i Shteteve të Bashkuara mbërriti në samitin e NATO-s në një gjendje nervoze, dhe me një përbuzje të thellë dhe vrazhdësi tronditëse ndaj aleatëve. Por sulmi i tij mbi NATO-n, nuk habiti askënd.

Trump ka sugjeruar në mënyrë të përsëritur, se arkitektura e sigurisë së pasluftës e Shteteve të Bashkuara, është një “marrëveshje e keqe”, e negociuar nga “të paaftë dhe të marrë”. Sipas tij, politika e jashtme, është një lojë me shumën zero zero; çdo përfitim nga një komb tjetër, duhet të jetë domosdoshmërisht një humbje për Shtetet e Bashkuara.

Ajo çfarë Trump nuk arrin të kuptojë, është se pabarazia në shpenzime, me SHBA-të që paguajnë më shumë se aleatët, nuk është një difekt i sistemit. Por një veçori e tij. Ajo është mënyra se si burrështetasit e pasluftës, e projektuan atë.

Dhe kjo strategji jashtëzakonisht parashikuese, siguroi mungesën e një konflikti të madh midis fuqive – dhe luftën bërthamore – për treçerek shekulli. Rendi botëror, i hapur dhe liberal, që njohim sot, u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore, dhe u zgjerua pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Sipas projektit fillestar, ai udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara; dhe siguron një hegjemoni ushtarake të përhershme amerikane mbi Euroazinë, duke bashkuar Europën nën mbrojtjen e SHBA-së. Qëllimi i kësaj strategjie të madhe amerikane, është të parandalojë dominimin e rajonit nga çdo fuqi e vetme, që mund të kthehet kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e saj.

Hegjemonia amerikane, i shërben gjithashtu shuarjes së rivaliteteve të rrëmujshme rajonale, duke parandaluar luftërat e mëtejshme botërore. Din Eshson, Xhorxh Marshall dhe shtetet e tjera të mëdha të brezit të tyre e ndoqën këtë strategji, pasi ata mësuan, me një kosto të paimagjinueshme, se fantazia e përjetshme amerikane për të qenë gjithnjë qenë të lirë nga Europa – izolacionizmi ose me fjalë të tjera ‘Amerika e Para’ – ishte thjesht një fantazi.

Ushtria amerikane, ka qenë gjithmonë një pjesë integrale e planit për bashkimin dhe rindërtimin e Europës nga rrënojat. Ajo politikë ishte kaq e suksesshme, sa që amerikanët tani – shumica e të cilëve nuk ishin gjallë për të dëshmuar madhështinë e atyre luftërave – e shohin paqen, unitetin, prosperitetin dhe stabilitetin, si gjendjen natyrore të Evropës.

Dhe ky është një iluzion. Për shekuj me radhë, Europa ishte forca e dhunës globale. Me epokën e eksplorimeve, ajo u bë eksportuesja kryesore e dhunës në botë. Megjithatë, duke njohur këtë histori të përgjakshme, duhet të pranojmë diçka po aq të vërtetë: Në prag të Luftës së Dytë Botërore, demokracia liberale e pa realizimin e saj më të plotë në Perëndim.

Ai lulëzim i paqes dhe i të drejtave të njeriut, nuk mund të shpjegohet me një shpërthim të papritur të pacifizmit evropian. Kjo ndodhi sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, Europa e shkatërroi veten, duke lënë Shtetet e Bashkuara me një fuqi dukshëm më të madhe, krahasuar me rivalin e vet, Bashkimin Sovjetik.

Përmes zbatimit të forcës së madhe ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, Shtetet e Bashkuara e shtypën garën e brendshme të sigurisë në Evropë. Kjo është arsyeja se përse Europa e pasluftës, pushoi që qeni eksportuesja kryesore e dhunës në botë, dhe u bë në vend të kësaj, eksportuesja kryesor botërore e paqes.

Vetëm Amerika dhe fuqia masive siç e ushtroi ajo vetë-ja, mund të kishin qetësuar dhe bashkuar Europën nën regjimin e saj. Asnjë vend tjetër kontinental nuk zotëronte gjysmën e PBB-së së botës. Asnjë vend tjetër, nuk ishte mjaftueshëm i distancuar nga Europa, për t’u besuar nga të gjitha palët, dhe indiferent ndaj xhelozive rajonale. Asnjë vend tjetër nuk kishte një vizion strategjik, moral dhe ekonomik për Europën, që banorët e saj mund të bindeshin ta ndanin me kënaqësi.

Shtetet e Bashkuara ndihmuan rimëkëmbjen ekonomike të Europës së pasluftës, me 13 miliardë dollarë ndihma në formën e Planit Marshall (përafërsisht113 miliardë me kursin e sotëm).

Ajo organizoi grupimet dhe traktatet që do të bëheshin më vonë Bashkimi Europian. Me traktatin e NATO-s, ajo e futi futi Europën nën ombrellën e sigurisë amerikane.

Neni V i traktatit, elementi i tij më i rëndësishëm, deklaron se një sulm ndaj një anëtari të NATO-s, është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve. Këto politika nuk synonin vetëm t’i kundërviheshin Bashkimit Sovjetik, por të kushtëzonin prosperitetin e Europës nëpërmjet integrimit në një treg të përbashkët, me lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit dhe punës.

Themeluesit e këtyre institucioneve, synuan me dashje që ato të ishin themelet e Shteteve të Bashkuara të Europës, ashtu si Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërvarësia e thellë ekonomike, besonin ata, do t’i bënte të pamundura luftërat e mëtejshme europiane.

Në epokën e pasluftës, ashtu si tani, armiqtë e demokracisë liberale synuan të minojnë rendin që po ndërtonte SHBA-ja. Kritika e Bashkimit Sovjetik ndaj Planit Marshall dhe përfshirjes amerikane në Europë, ishte e ngjashme me gjuhën që përdor sot Rusia në fushatën e saj për të minuar NATO-n dhe BE-në.

Me burrat që ndërtuan rendin botëror të pasluftës që dergjen sot në varre, një pjesë e madhe e amerikanëve, e ka harruar se vendi i tyre e ndërtoi këtë sistem për një arsye – që Shtetet e Bashkuara nuk i mbajnë aleancat e veta, vetëm për shkak se janë një fuqi e madhe.

Eksponenti më i zëshëm i idesë se SHBA-ja është duke perënduar si një superfuqi, se Bashkimi Europian është “krijuar për të na shkatërruar”, dhe që institucionet ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë sulmojnë “sovranitetin” e kombeve, është mjerisht vetë presidenti amerikan Trump.

Është e vështirë të kuptojmë, se sa të pamend dhe të pakujdesshme janë këto koncepte. Lufta e Dytë Botërore, dëshmoi jo vetëm se izolacionizmi dhe Amerika e Para ishin fantazi, por jashtëzakonisht fëminore dhe të rrezikshme.

Në epokën e tregtisë së hiper-globalizuar, udhëtimeve ajrore ndërkombëtar, internetit, armëve bërthamore dhe raketave balistike ndër-kontinentale, këto fantazi janë edhe më fëminore dhe të rrezikshme. SHBA mund të ndodhet në një kontinent tjetër, por jo në një planet tjetër.

Është e vërtetë se SHBA-ja shpenzon më shumë mbi ushtrinë e saj, sesa çdo vend evropian. Europa është tregu më i madh i eksporteve amerikane, ashtu siç është projektuar dikur. Ne duam që europianët t’i shpenzojnë paratë e tyre, duke shijuar mallra dhe shërbime amerikane.

Por, refuzimi i Trump për të penguar armiqtë tanë të përbashkët, dhe për të mbrojtur aleatët tanë, rrezikon të provokojë një garë armatimi europiane – pikërisht ajo që SHBA synoi të shmangë për 74 vjet. Është një ftesë për aventurizëm nga Vladimir Putin.

Dëmi që Trump i ka shkaktar qëllimisht stabilitetit të Europës, vjen në një kohë veçanërisht të rrezikshme. E ashtuquajtura vala e tretë e demokracisë – lulëzimi global i sistemeve të hapura politike pas Luftës së Ftohtë – është zmbrapsur prej kohësh. Ndërkohë është tepër ngjitës një kërcënim ndaj demokracisë liberale, në formën e një ideologjie të dallueshme rivale – demokracisë jo liberale.

Atë e shohim sot në Rusi dhe Turqi – një formë e korruptuar, oligarkike, kleptokrate dhe e uritur e demokracisë, e cila përhapet dhe konsolidohet nëpërmjet teknologjive të reja të shekullit XXI-të.

Rendi botëror i udhëhequr nga amerikanët, dhe i diktuar nga ideali i demokracisë liberale, ka qenë tejet i papërsosur. Por ai ka qenë gjëja më e afërt ndaj Utopisë, që ka parë ndonjëherë njerëzimi. Përfitimet prej tij nuk janë thjesht ekonomike, edhe pse edhe ato janë të mëdha.

Përfitimet e tij, duhet të maten me luftërat që nuk zhvillohen, dhe me jetët njerëzore që nuk humben. Megjithatë, shumë amerikanë i kanë kthyer shpinën si histories, ashtu edhe realitetit.

Le të shpresojmë që krenaria të mos i pengojë ata ta kuptojnë këtë gabim, para se të jetë shumë vonë.

Shënim: Claire Berlinski jeton në Paris. Libri i saj i ardhshëm titullohet “Çezarët e rinj, dhe vdekja e demokracisë në Perëndim”. / Politico.eu – Në shqip nga bota.al