Ballina Aktualitet Kosovë Vuçiq: Amerikanët për herë të parë po na dëgjojnë për Kosovën

Vuçiq: Amerikanët për herë të parë po na dëgjojnë për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka polemizuar me opozitën në lidhje me akuzën se “po përgatitet për ta dorëzuar Kosovën”. Ai, siç raportojnë mediat e Beogradit, ka komentuar se nuk di “çfarë do të humbte dikush pas sundimit të tyre” dhe ka shtuar se “Kosovën s’e humba unë”.
Ai deklaroi sot se do të ofrojë zgjidhjen për Kosovën, nëse do të gjendet, dhe se për atë propozim do të deklarohet populli dhe “ai do të gjyqtari suprem”, raporton e përditshmja e Beogradit, “Novosti”, transmeton Koha.net.

Ai ka përdorur një metaforë të vjetër një politikani europian, sipas të cilës “për tango duhen dy valltarë, nuk varet çdo gjë nga ne, do të punoj çdo dityë dhe do të luftoj çdo ditë, që të gjejmë një zgjidhje kompromise. Nëse e gjejmë, do t’ia ofroj popullit, le të flasë populli nëse dëshiron ose jo dhe populli do të jetë gjyqtari suprem”, është shprehur Vuçiq, duke iu përgjigjur interesimit se sa kohë duhet për të gjetur zgjidhjen për Kosovën.

Një pyetje tjetër se si i komenton sulmet nga opozita, sipas të cilave pushteti po punon për ta dorëzuar Kosovën, Vuçiq u përgjigj se ai vetëm nuk di “çfarë do të humbte dikush pas sundimit të tyre” (e ka fjalën për opozitën e tashme – sqarim ynë).

“… Çfarë mund të humbi tjetër, cilën pjesë të Kosovës të cilën ende nuk e kanë dorëzuar. Unë mendoj se Serbia vetëm mund të fitojë në shumë aspekte, ndërsa më thoni ju se ç’është ajo që Serbia ende mund ta humbasë. Ku tjetër nuk kanë vënë kufi. Te Zubin Potoku kanë hapur pikën kufitare në Bërnjak, e kam bërë unë këtë apo Jeremiqi, Gjillasi, Obradoviqi i DSS. E vendosën ata pikëkalimin në Jarinje apo unë dhe a u shpall pavarësia e Kosovës në kohën e atyre apo timen. 17 shkurti ndodhi në kohën e tyre apo timen”, ironizoi Vuçiq, transmeton Koha.net.

Vuiçiq tha se “dikush, për dallim nga ata, po mendon se çfarë është situata jonë ekonomike, pozicioni demografik dhe sa njerëz po na ikin nga vendi dhe ç’është ajo që mund të fitojmë në Kosovë për Serbinë dhe çfarë mund të fitojmë për popullin serb në Kosovë”.

Sipas tij, administrata amerikane për herë të parë dëshiron të dëgjojë edhe palën serbe në lidhje me Kosovën dhe kjo nuk është pak.

“U jam mirënjohës amerikanëve të cilët më duket se për herë të parë, që kur erdhi në pushtet administrata e Trumpit, duan të na dëgjojnë. Nuk them se i kemi aleatë në çështjen e Kosovës, nuk them se është punë e lehtë, ata kanë pikëpamje tjetër ndaj Kosovës, por tani duan të na dëgjojnë dhe kjo nuk është punë e vogël”, është shprehur sot Vuçiq.

Ai ka përmendur mundësinë e vizitës së Trumpit në Serbi, por ka shtuar se “nuk ka datë të konfirmuar”, por ka thënë se deri në fund të vitit Serbinë do ta vizitojë Vlladimir Putin, kurse në vitin e ardhshëm edhe presidenti i Kinës.