Kryeministri Zoran Zaev pret që Kuvendi më 30 korrik ta shpall datën për mbajtjen e referendumit. Sipas tij, opozita nuk ka nevojë të frikohet nga vullneti i qytetarëve. Zaev potencoi se shifrat e referendumit do të imponojnë edhe vendimmarrjen. Kryeministri thotë se në rast se nuk arrihet pragu i daljes në referendum, atëherë finalizimi i Marrëveshjes me Greqinë mbetet në duart e Kuvendit që të vendos përmes ndryshimeve kushtetuese. Zaev shpalosi pyetjen që opozita i ka propozuar e cila sipas tij ishte e palogjikshme.
Parashtruam pyetjen: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE përmes mbështetjes së marrëveshjes me Greqinë? Opozita propozoi pyetje të kundërt: A jeni për mbështetjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë e nënshkruar nga ministrat Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias në Prespë, e cila në përgjithësi e shkatërron gjuhën maqedonase, identitetin, kulturën dhe përkatësinë nacionale? Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk mund të lejojmë pyetje të tillë – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.
Zaev vlerëson se kësaj radhe mbetet në ndërgjegjen e Histijan Mickoskit të thërras takim të liderëve me qëllim që të arrihet marrëveshje për referendumin. Duke folur për amnistinë, Zaev qartësoi se me ndryshimet në Kodin Penal opozita ka pretenduar amnisti indirekte, e cila sipas tij do të dëmtonte Prokurorinë Speciale Publike.
Nuk e shoh të arsyeshme thirrjen e takimit për këtë çështje. Grupet e punës dhe grupet e deputetëve janë aty, mund koordinatorët të flasin dhe unë jam i hapur, por takim të ri të liderëve nuk thërras pasi që i patë qëndrimet që i kishin. Por takim mund të thërret Mickoski, ose të takohemi në Kuvend përderisa çështja mbetet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së ose të flasim me telefon, por në gjejmë zgjidhje sepse i kemi ditët e numëruara – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.
Nga VMRO-DPMNE-ja edhe sot hodhën poshtë zërat se kërkojnë amnisti. Sipas tyre, Qeveria po shpërqendron vëmendjen e opinionit nga marrëveshja e dëmshme me Greqinë dhe njëkohësisht po fsheh skandalet kriminale. Nga subjekti opozitar nuk tregojnë nëse lideri i tyre do të thërret takim të liderëve.
Nuk mundem që tani të flas për takim të liderëve. Të vetmit që kanë dhënë amnisti janë LSDM-ja e cila ka amnistuar mbi 800 kriminel të dënuar të cilët tani shëtisin rrugëve të lirë – theksoi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së .
Në takimin e fundit të liderëve, pushteti dhe opozita arritën marrëveshje për çështjet legjislative dhe zhbllokimin e KSHZ-së, ndërsa për modalitetet e referendumit qëndrimet ishin diametralisht të kundërta. Mickoski pas takimit u shpreh se subjekti i tij nuk mund të pajtohet me pyetje që nuk ka një kuptimtë, ndërsa Zaev akuzoi Mickoskin se po kërkon amnisti për bashkë partiakët e tij./am/