Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot vizitoi Bashkinë e Vlorës. Gjatë kësaj vizite ai ka zhvilluar një sërë aktivitetesh. Haradinaj u takua me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli me të cilin diskutoi për bashkëpunim ndërmjet Bashkisë së Vlorës dhe Kosovës, raporton rtv21.tv.
Haradinaj u pyet edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rreth idesë së presidentit, Hashim Thaçi për korrigjim të kufijëve.
I pari i ekzekutivit, u përgjigj duke përsëritur qëndrimin e tij se kjo ide është e papranushme nga ana e tij.
“Për fat të keq të popullit të Ballkanit, luftërat kanë qenë tragjike në të kaluarën. Realiteti i sotëm është krejtësisht rezultati i atyre luftërave. Ne duhet të konsiderojmë arritjet tona, ndaj mendoj se hapja e temës së korrigjimit të kufijve, është e papranueshme për mua”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj së bashku me kryebashkiakun vizituan Monumentin e Pavarësisë, si dhe vendosën kurora lulesh pranë varrit të Ismail Qemalit.
Pastaj i pari i ekzekutivit vizitoi edhe Muzeun Historik dhe atë të Pavarësisë në Vlorë.