Rrugët në zonat e brigjeve lindore amerikane janë të mbingarkuara me trafik për shkak të numrit të madh të njerëzve që po tentojnë ti largohen sa më shumë që të munden, stuhisë më të madhe të jetës së tyre. Rreth 1.7 milionë njerëz janë urdhëruar të evakuohen në Karolinën e Jugut, atë të veriut dhe në Virxhinia.
Autoritetet kanë shndërruar katër superstrada në trajektore një kalimshe që çojnë larg brigjeve, për të përshpejtuar eksodin.
Por ndërsa shumë banorë të zonave bregdetare i janë bindur urdhrave për evakuim, ka edhe nga ata që po provojnë të forcojnë shtëpitë e tyre e të qëndrojnë atje. Dhe në një video të postuar në twitter, presidenti Donald Trump paralajmëronte banorët t’i bindeshin urdhrave.
“Largohuni që andej, mos e merrni si lojë, është një stuhi e madhe, ndoshta më e madhja që keni parë ndonjëherë. Gjëra të këqija mund të ndodhin kur bëhet fjalë për një stuhi të këtyre përmasave. Është fjala e nënës natyre, duhet të mendoni për sigurinë tuaj”, është shprehur ai.
Stuhia e kategorisë katër, me erëra që shkojnë deri në 215 km në orë, parashikohet të prekë tokën mëngjesin e të premtes.
Uragani Florence, mund të shkaktojë sipas analistëve më shumë se 170 miliardë dollarë dëme, të dëmtojë rreth 759 mijë shtëpi dhe biznese nga Carlestoni në Karolinën e Jugut e deri në Virxhinia Beach.
Përveç dy Karolinave dhe Virxhinias, gjendja e emergjencës është shpallur edhe në Merilend dhe në Uashington DC për shkak të shqetësimeve për përmbytje.