Ballina Aktualitet Reportazhe Jetës së ashpër në Preshevë i shtohet edhe shqetësimi për kufirin serbo-kosovar

Jetës së ashpër në Preshevë i shtohet edhe shqetësimi për kufirin serbo-kosovar

Në luginën kufitare të Preshevës, as shqiptarët e as serbët nuk i kushtojnë shumë vëmendje temës për ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë – ata janë shumë të zënë në përpjekjen për të zhvilluar një jetesë normale. Kështu e fillon shkrimin agjencia franceze e lajmeve, AFP, për luginën e Preshevës dhe për temën e korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Në vijim po ju sjellim shkrimin e plotë të AFP-së:

Një nga rajonet më të varfra të Serbisë, Presheva në vitin 2001 ka pasur një konflikt të shkurtër kur një grup gueril shqiptarësh të armatosur kërkonin që të bashkoheshin me Kosovën fqinje. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë, por Serbia ende nuk e ka pranuar këtë, shkruan AFP, transmeton Koha.net. Por, këtë verë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, hapën temën e “korrigjimit të kufirit” për të zgjidhur problemet shumëvjeçare mes këtyre dy vendeve.

Së fundmi, në media ka qarkulluar lajmi i një shkëmbimi të veriut të Kosovës – i banuar kryesisht nga serbët [Mitrovica e veriut], me luginën e Preshevës – një zonë jugore e Serbisë e banuar kryesisht nga shqiptarë. Prej gjithsej 75.000 banorë në këtë luginë, 60.000 besohet se janë shqiptarë edhe pse ata bojkotojnë regjistrimet për popullsi të organizuara nga Beogradi.
Armët tani janë heshtur.

Por e vendosur në mes të Serbisë, Maqedonisë dhe Kosovës – Lugina mbetet e goditur nga papunësia e lartë dhe e monitoruar nga shërbimet serbe të sigurisë. Edhe pse nuk ka figura zyrtare, në këtë luginë operojnë qindra ushtarë dhe policë. Kompanitë e mëdha nga ish-Jugosllavia tashmë janë zhdukur, siç ishte fabrika e plastikës “7 Korriku”, fabrika e shtypshkronjës “Grafofleks”, kompania tregtare “Buduçnost” dhe një fabrikë për paketimin e duhanit. Sipas shifrave zyrtare të tanishme, në luginën e Preshevës papunësia është rreth 70 për qind.

EKSODI

Fasadat e shkatërruara të Preshevës dëshmojnë mjerimin. Paga mesatare mujore mezi arrin në 100 euro. Në qytetin tjetër të luginës, Bujanoc, ku kompania e ujit mineral “Heba” ofron punë, paga mesatare është 200 euro – përgjysmë më pak sa është mesatarja e pagës mujore në tërë Serbinë.
“Pa perspektivën për punë, të gjithë do të përfundojmë duke u larguar”, ka thënë për AFP Jonuz Kamberi, 24 vjeçar, përcjell Koha.net. Metalpunuesi i papunë nuk kishte për të thënë shumë në lidhje me shkëmbimin e territoreve. “Megjithatë, ata nuk do të pyesin për mendimin tim”, tha ai.

Një shkëmbim territori do të ishte “budallallëk”, tha Bratislav Trajkoviq, serbi 64 vjeç nga fshati multietnik i Reljanit. “Çfarë në të vërtetë na duhet është puna. Dhe të gjithë (serbët dhe shqiptarët) mendojnë njëjtë”, ka thënë Trajkoviq, një nëpunës civil. Të dyja palët janë nën presion nga Brukseli për të arritur një marrëveshje.

Serbia është duke negociuar për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Kosova dëshiron të hapë bisedimet për anëtarësim me bllokun dhe po ashtu t’i bashkohet Kombeve të Bashkuara. Në fshatin Slavujevac, të gjithë, 500 banorë, janë serbë. Stojan Nedeljkoviq, 55 vjeç, ka thënë se beson që një linjë e re kufitare “nuk do të zgjidhë problemet, as për serbët e as për shqiptarët”. “Shqetësimi kryesor është se njerëzit nuk kanë mjete për të jetuar”, shtoi Nedeljkoviq, një baba i papunësuar i pesë vajzave, shkruan AFP, transmeton Koha.net.

FABRIKA DO TË NDRYSHOJË GJITHÇKA

“Një fabrikë do të ndryshonte gjithçka”, tha shoku i tij Nenad Gjorgjeviq, metalpunuesi 55 vjeç. Por nëse nuk ndryshona asgjë “të gjithë fëmijët do të largohen”, shtoi Gjorgjeviq, i cili punon në një fabrikë që drejtohet nga një shqiptar.

“Nga 130 shtëpi në Slavujevac, rreth 40 prej tyre janë bosh ndërsa në të tjera jetojnë kryesisht pleqtë”, tha ai. Armend Aliu, zëvendës-kryetar i komunës së Preshevës, 40 vjeç, tha se shteti serb “injoroi kërkesat e thjeshta” të tilla si një zonë industriale për të tërhequr investitorë, një kalim të ri kufitar me Maqedoninë dhe një librat shkollorë në gjuhën shqipe. Mosveprimi i Beogradit mund të nxisë aspiratat nacionaliste, tha Aliu.

Por, ndjenjat kombëtare vështirë që i lë Fadili, një shqiptar mbi të 60-tat, i cili erdhi në Bujanoc për të bërë pazar. “Pensioni im në Serbi është 300 euro dhe më kanë thënë se në Kosovë do të jetë rreth 50 euro”, ka thënë Fadili, i cili nuk ka dashur ta zbulojë mbiemrin e tij. Rreth 100 kilometra në veriperëndim, në Kosovë, Nazmi Aliu, një zjarrfikës i pensionuar 71 vjeç, po ashtu ka frikë se lëvizja e kufirit do ta vendosë atë nën sundimin e Beogradit.
Aliu jeton në Suhodoll, një fshat shqiptar në rajonin e Mitrovicës veriore. Enklava kryesisht serbe ka një gjë të përbashkët me Preshevën: varfërinë e rëndë, shkruan AFP. “Investimi i madh në sektorin privat po mungon në rajon”, sipas raportit për ekonomi të bërë në vitin 2015 nga Instituti Riinvest.

“Ndihma e vlefshme vjen kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë dhe agjencitë qeveritare”, shkruan AFP. Adnan Jusufi, 42 vjeçari i papunë, ka thënë se shkëmbimi i territoreve do ta përkeqësonte situatën më shumë. Ai dyshon se Serbia do të tregojë më shumë shqetësim për shqiptarët në Mitrovicën veriore.
Shqiptarët nga Mitrovica veriore “nuk kanë punë, nuk kanë shkolla” dhe varen nga “kujdesi qeveritar”, ka thënë ai.