Ndryshime dhe risi në listën e trajnerit të kombëtares Shpresa Alban Bushi për dy sfidat e fundit që Shqipëria U-21 do të zhvillojë në eliminatoret e Europianit. Kuqezinjtë fillimisht do të sfidojnë Spanjën në kryeqytet në stadiumin Selman Stërmasi në datën 11 tetor në orën 19:00 ndërsa 5 ditë më vonë do të mbyllin grupin 2 pikërisht ndaj Estonisë në transfertë.
Ndaj estonezëve kombëtarja Shpresa nisi dhe këtë fazë eliminatore në të cilën pritshmëritë ishin të mëdha madje në fillim u përmend edhe fjala kualifikim nga trajneri Bushi dhe kapiteni Bare, por në fund Shqipëria i zhgënjeu të gjithë dhe deri tani ka lënë pas vetëm Estoninë, teksa pozicionohemi të 5-ët. Megjithatë përfaqësuesja U-21 do të kërkojë t’i mbyllë në mënyrën më të mirë këto eliminatore. Janë 7 futbollistët nga Kategoria Superiore në listën e Bushit ndërkohë që trajneri ka grumbulluar lojtarët më në formë ku spikasin dhe dy risitë Albion Ademi i Inter Turkut në Finlandë dhe Besir Ramadani i Shkupit.