Shkollimi dhe perspektiva më e mirë e jetës. Kjo është dëshira e shumë shqiptarëve, që për ta realizuar synojnë largimin nga Shqipëria. Në një intervistë për ‘Deustche Welle’, Prof. Russel King, Drejtor i Qendrës Sussex për kërkime mbi emigracionin, e njohur në të gjithë Botën, thotë se Shqipëria zë vendin e parë në Europë dhe të pestin në Botë sa i përket emigracionit potencial.
Prof. King, cila është situata e emigrimit potencial nga Shqipëria drejt vendeve të Europës Perëndimore, SHBA apo Kanada? Ju keni drejtuar studimin e sapopublikuar në Tiranë, “Trende të reja në emigracionin potencial nga Shqipëria”, të Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale, mbështetur nga Fondacioni Friedrich-Ebert. Pra, ҫfarë tregojnë gjetjet e këtij studimi?
Russell King: Gjetjet tregojnë që emigrimi i shqiptarëve vazhdon, që prej afër 30 vitesh. Por natyra e tij po ndryshon: nuk është më një dukuri për arësye ekonomike apo politike, por një dukuri që po prek të gjitha shtresat e shoqërisë, grupmoshat, klasat e ndryshme shoqërore për nga të ardhurat. Emigrimi potencial është rritur në vitin 2018 në 52% nga 44% që ka qenë në 2007. Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e emigrimit të njerëzve që kanë mbaruar universitetin, i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë. 57 % e grupmoshës 18- 40 vjec synojnë të emigrojnë. 46 % e atyre që nuk kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë. 72% e emigrantëve të kthyer, pra e atyre që kanë qënë njëherë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri. Për shkak të krizës financiare në Greqi në 2008-ën dhe Itali, rreth 134 mijë emigrantë në këto dy vende fqinje u detyruan të kthehen në Shqipëri, sepse humbën vendet e punës. Rreth 1.4 milion vetë, pothuajse gjysma e popullsisë së tanishme të Shqipërisë, ka emigruar në Europën Perëndimore, SHBA dhe Kanada, që nga rënia e regjimit komunist në 1991 e deri më sot.
Cili është raporti mes emigrantëve të kthyer në Shqipëri dhe atyre që nuk kanë qënë asnjëherë emigrantë, por synojnë tani të ikin?
Russell King: Është vështirë të dihet ky raport. Statistikat në Shqipëri për emigracionin nuk janë shumë të qarta, nuk regjistrohet me saktësi në baza vjetore numri i njerëzve që ikin dhe i atyre që kthehen. Por është e qartë se që prej 1991 numri i shqiptarëve që ikin është shumë më i madh se numri i atyre që kthehen. Dëshira për të emigruar është shumë më e madhe tek ata që kanë qenë një herë emigrantë dhe janë kthyer, sesa tek ata që nuk kanë emigruar kurrrë. Tendenca është që kush ka emigruar një herë, dëshiron shumë të emigrojë përsëri. Numri i përgjithshëm i popullsisë po bie, Shqipëria po tkurret.
Pse dëshiron më shumë se gjysma e popullsisë të ikë ? Çfarë arsyesh janë gjetur në studimin që keni drejtuar?
Russell King: Studimi tregon se një nga arsyet kryesore pse njerëzit duan të ikin është se nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Shqipëri. Pjesa më e madhe kërkojnë një shkollim më të mirë për fëmijët e tyre. Vendet e preferuara janë Gjermania dhe SHBA. Arësye tjetër kryesore janë të ardhurat shumë të ulëta në Shqipëri, kur kosto e jetesës sa vjen e ngrihet. Është normale që njerëzit në Shqipëri të duan të eksplorojnë mundësi për të fituar të ardhura më të mira. Është ky grup faktorësh: të ardhura të ulta, pakënaqësi nga arsimi i lartë, perspespektiva të vakëta pune, mungesa e perspektivës për brezin e ri, që vazhdojnë të ekzistojnë duke e bërë Shqipërinë të zërë vendin e parë në Europë dhe të pestin në në botë për dëshirën e madhe për të emigruar – në bazë të një studimi të IOM ( International Organization for Migration). Që kjo situatë të ndryshojë lypsen politika zhvillimi që krijojnë më shumë mundësi punësimi dhe të ardhura të mira.
Shqipërisë po i ikën rinia që ka dijet, energjinë, vrullin për ndryshim. Si mund të ndalet ikja e rinisë?
Russell King: Po, e drejtë. Shqipërisë po i ikën truri, po i ikin përvoja dhe kualifikime të nivelit të lartë. Por kjo dukuri nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore. Pasojat bëhen edhe më të rënda nga kombinimi i ikjes me rënien e numrit të lindjeve. Gjithsesi, nëse zhvillimi ekonomiko – social në Shqipëri ndodh në drejtimin e duhur, ai mund të ndalojë rininë të emigrojë. Industria e Turizmit ofron mundësi për rininë, jo domosdoshmërisht për ata që kanë kualifikime të nivelit të lartë si doktorë, juristë etj, por për ata që kanë kualifikime të nivelit të mesëm, po kështu manifaktura, sektori bankar, financiar, menaxhimi, arsimi i lartë. Por duhet ngritur një sistem meritokracie transparence në emërime, që mungon në Shqipëri, duhen përmirësuar standartet e rekrutimit në tregun e punës. Shqipëria ka burime për t’ u zhvilluar nëse ato përdoren si duhet.
A e favorizon situata në Europë dhe në botë dëshirën e shqiptarëve për të emigruar, pra kalimin nga emigracioni potencial në atë real, nga dëshira tek realizimi i saj ?
Russel King: Po, e favorizon. Nëse shohim skenarin global të emigracionit, shumë vende kërkojnë emigrantë me përvoja profesionale. Kanadaja, Australia etj kanë politika emigrimi që tërheqin njerëzit me përvoja të nivelit të lartë në disa sektorë të ekonomisë. Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që kanë nivel të lartë njohurish, gjejnë punë në këto vende. Shqipëria humbet rininë e saj të kualifikuar, për të cilën ajo ka investuar vite të tëra, e cila kur ikënkontribuon jo për vendin e saj, por për vendet ku emigron. Kjo është rrjedhja klasike e trurit, që mund të ndalojë./ Dw