Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së në mbledhjen e sontme diskutoi rreth temave aktuale politike në vend, me theks të posaçëm, referendumin e mbajtur më 30 shtator, si dhe për proceset që e shpijnë Maqedoninë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Shumica dërmuese, mbi 90 për qind e qytetarëve që votuan “PËR” porositën që Republika e Maqedonisë duhet të pranojë Marrëveshjen me Greqinë dhe të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE duke ruajtur identitetin.
Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv konkluduan njëzëri, se tani, kur ka një shumicë të qartë, deputetët në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë duhet të ndjekin zërin e shumicës së mbi 600 mijë qytetarëve, të marrin përgjegjësinë dhe të përshpejtojnë proceset e anëtarësimit përfundimtar në NATO dhe BE.
Nëse kjo nuk është e mundur dhe VMRO-DPMNE vazhdon të pengojë të ardhmen e qytetarëve dhe e shtyn vendin në humnerë, atëherë nuk ka asnjë mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilën qytetarët do të vendosin për të ardhmen, konkludoi Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së
Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së gjithashtu vlerësoi se duhet të përdoren të gjitha mundësitë demokratike, që t’ju mundësohet deputetëve të ndjekin zërin e qytetarëve dhe të sigurojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
Komiteti Ekzekutiv e autorizoi kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe koordinatorin e grupit parlamentar, Tomislav Tuntev, për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm rreth përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.