“Unë do të nënshkruaj marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbise, pavarësisht nga zërat kritikë, për njohjen e Kosoves nga Serbia…”. Kështu u shpreha Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për televizionin francez,”Francë 24″.
Këtë verë ai dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, diskutuan mundësinë e ndryshimit të kufijve midis dy vendeve për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, njëzet vjet pas konfliktit midis forcave serbe dhe guerrilasve separatiste kosovare.
“Ideja ime për korrigjim të kufijve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk do të nënkuptonte arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, do të shmangte për çdo rast rreziqe të tjera të ndarjes së Kosovës apo themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që nënkupton ‘Republika Srpska’. Prandaj mendoj se kjo zgjidhje është reale dhe do të duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, por natyrisht e mirëpritur edhe nga bota demokratike”, tha Thaçi.
“Ajo e korrigjimit të kufijve nuk është një ide që unë do të doja ta prezantoja, por pas një konflikti kaq të gjatë dhe pas negociatash të shumta, dola në përfundimin se e vetmja mundësi është gjetja e një zgjidhjeje racionale dhe të pranueshme nga të dyja palët, e nëse dy vendet tona, Kosova dhe Serbia bien dakord me këtë çështje, askush nuk ka përse të jetë kundër”, shtoi më tej Thaçi.
“Kjo marrëveshje sjell stabilitet në rajonin e Ballkanit, e në asnjë moment nuk prodhon të kundërtën. Ata që flasin për ‘kuti të Pandorës’, – vazhdon kreu i shtetit kosovar, – nuk kanë vet një zgjidhje të qëndrueshme për të propozuar”.