Ballina Aktualitet Lajme Maqedoni, gjysmë milion banorë me barkun bosh

Maqedoni, gjysmë milion banorë me barkun bosh

Mbi 450 mijë banorë të Maqedonisë thuajse për çdo ditë ballafaqohen me mungesën e sigurimit të ushqimit ose mund të sigurojnë vetëm një vakt gjatë ditës. Ndërsa një pjesë e madhe vuajnë mungesën e ushqimit, nga ana tjetër rreth 12 mijë tonë ushqime përfundojnë në mbeturina. Të dhënat u publikuan në prag të Ditës ndërkombëtare të ushqimit dhe urisë.

Ne duam të rrisim vetëdijen për hedhjen e ushqimit. Qytetarët hedhin rreth 12.000 tonë ushqime të tepërta çdo vit që paraqet një nga rekordet në rajon dhe Evropë. Kjo patjetër të ndryshojë si praktikë për shkak se nuk duhet të jemi hedhësit më të mëdhenj të ushqimit. Akoma, pjesa më e madhe e ushqimeve që mbetet si tepricë në dyqane dhe të tjera vende që janë pjesë e zinxhirit të ushqimit ose distribuimit të tyre, hedhen në deponi. Bëhet fjalë edhe për ushqime janë para skadimit të afateve- deklaroi Bllazhe Josifovski, Asociacioni “Hajde Maqedoni”.

Ndërkohë, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari sigurojnë se në Maqedoni konsumohet ushqim cilësor dhe i sigurt. Këtë e dëshmojnë mbi 33 mijë kontrollet e kryera në objekte të ndryshme ushqimi.

Në periudhën prej 1 janar deri në shtator janë shkatërruar rreth 14 mijë tonë ushqime të shpallura si jo të sigurta – thotë Zoran Atanasov, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Më 16 tetor, në 33 lokacione të qyteteve Shkup, Manastir, Kumanovë, Prilep, Strumicë, Radovish, Koçanë dhe Vinicë do të organizohet aksioni “Ushqe 10.000” për mbledhje të ushqimeve të ndryshme me qëllim të furnizimit të familjeve në nevojë. Aksioni do të zhvillohet nga ora 10 deri në orën 19.

Melihate Rustemi