Ballina Aktualitet Lajme TRAJEKTORJA, LEXOHEN SMS-të PËR AUTOSTRADËN “JANAKIESKI DHE STAVRESKI TRUKUAN TENDERIN ME KINEZËT”...

TRAJEKTORJA, LEXOHEN SMS-të PËR AUTOSTRADËN “JANAKIESKI DHE STAVRESKI TRUKUAN TENDERIN ME KINEZËT” (VIDEO)

Me leximin e raportit të 31 majit të vitit 2017, në databazën e sms-porosive ndërmjet ish-ministrit të Transportit dhe lidhjeve Mile Janakieski dhe ish-ministrit të Financave Zoran Stavreski, filloi seanca e sotme për lëndën “Trajektorja” në të cilën ishin të pranishëm të gjithë të akuzuarit dhe avokatët e tyre. Në njërën nga sms-porositë ndërmjet dy ish-ministrave nga radhët e VMRO DPMNE-së thuhet:

“Nëse je në Komitetin ekzekutiv, thuaji shefit për shkuarjen në Kinë!”

Avokati Elenko Milanov kundërshtoi provat dhe vuri në dukje se ka një gjetje dhe mendim nga këshilltari teknik Orce Simov, i cili thekson se origjinaliteti i mesazheve nuk mund të garantohet. Kryetari i këshillit gjykues tha se së pari do të prezantohen provat dhe më vonë do të dëgjohen vërejtjet e palës mbrojtëse. Sot në gjykatë u lexuan gjithsej 103 mesazhe mes dy ish-minitrave në periudhën prej 16 maj, 2012 deri në 3 prill 2013. Nga mesazhet lexohet se si Janakieski i thotë Stavreskit që “EBRD” është e gatshme që të financojë rrugën Milladinovcë-Shtip. Stavreski shkruan se kjo gjë është e mundshme dhe pyet nëse ka diçka të re nga kinezët. Përgjigja e Janakieskit është negative.

Në një sms tjetër thuhet se kanë dokumentacion për autostradën Milladinovcë-Shtip dhe se një ditë më parë ia ka dërguar ofertën e kinezëve për kredi. Më pas në gjykatë u shikuan mesazhet nga 19 qershori i 2013-së që flasin për një bisedë për t’u marrë vesh me “Eksim Bank” nga Kina dhe për takim, gjithashtu për udhëtim në Kinë më 17-18 qershor 2012, me të dhënat për fluturim në Kinë, përmes Stambollit.

“A i filluat negociatat?” Pyet sekretari i përgjithshëm i qeverisë Kiril Bozhinovski

“Të presim, jo pa ty. Eja te Vlado, shefi kërkon qëndrimin tonë” ia kthen në sms Mile.

“Kroaten e kanë thirrur të përkthejë deri sa flasim mes vete. Të kemi kujdes!” Shkruajnë mes veti Bazhinovski dhe Janakievski

“Kire erdhën kinezët, çfarë të bëjmë? Kinezët e humbin durimin duke pritur.” Mile i shkruan Kirilit.

Në një mesazh të datës 29 gusht 2012 thuhet se “Oliver Shambovski duhet të nënshkruajë marrëveshje me kinezët. Rreth 160 milionë euro nga ndërmarrja “Beton” për autostradën Milladinovcë– Shtip, janë duke pritur ofertë nga “Granit” dhe nga “Sinohidro”.

Janakieski në një mesazh të 7 nëntorit të 2012-s e njofton Stavreskin se një kompani kineze ka ofruar 280 milionë euro, ndërsa tjetra 288 milionë euro, dhe ata të dy mendojnë se njëra kompani e ka kopjuar ofertën e kompanisë tjetër.

Ambasadori i Kinës në sms të 27 nëntorit të po të njëjtit vit e njofton Janakieskin se do të përkrahin cilën do nga dy kompanitë kineze që do të zgjedhin autoritetet maqedonase.