Presidenti amerikan Donald Trump festoi në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen e re tregtare me Kanadanë dhe Meksikën duke nënvizuar se tarifat për çelikun dhe aluminin nuk preken. Sipas tij, pakti i ri për shkëmbimet e lira tregtare kap një vlerë prej 1200 miliardë dollarësh.
Trump feston. Marrëveshja e re e tregtisë së lirë e arritur nga Shtetet e Bashkuara me Kanadanë dhe Meksikën është “më e rëndësishmja në historinë amerikane” dhe “është me vlerë rreth 1200 milardë dollarë”, tha presidenti Donald Trump duke folur me kënaqësi nga Shtëpia e Bardhë.
Pakti i ri zëvendëson Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë për Amerikën e Veriut (NAFTA), e cila ka qenë në fuqi për 24 vjet dhe është konsideruar gjithmonë “katastrofike” nga Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka dashur të saktësojë se akordi i arritur mes SHBA-ve, Kanadasë dhe Meksikës “nuk është një NAFTA e rishikuar”, por një marrëveshje e re, për të cilën u nisën negociatat në gusht të 2017-s.
“Sapo të aprovohet nga Kongresi, kjo marrëveshje e re tregtare do të jetë më e moderuara, përditësuar dhe e barabartë në historinë e vendit tonë, me mbrojtjet më të avancuara për punonjësit të zhvilluara ndonjëherë”, u shpreh ai nga Kopështi i Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.
Më tej shton se pakti “do të mbështesë mijëra vende pune në SHBA”. Donald Trump më pas tha se tregtia dhe siguria ekonomike janë “një shtyllë e rëndësishme e sigurisë kombëtare”. Nga ana tjetër edhe kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau përshëndeti akordin historik mes palëve duke thënë se negociatat nuk ishin të lehta.
Ai premtoi kompensim adekuat për fermerët e prekur. Ndërkohë, në marrëveshjen e re tregtare përfshihet: SHBA fiton qasje në 3.6% të tregun e bulmetit të Kanadasë; Tarifat 25% për çelikun dhe 10% për aluminin qëndrojnë në fuqi; përjashtimin nga tarifat për eksportimin e automjeteve nga Kanadaja për në Shtetet e Bashkuara dhe shumë pika të tjera./abcnews.al