Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti i ka bërë thirrje Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismasocialdemokrate të mos e formojnë ekipin negociator që do t’i shërbente Hashim Thaçit.
“Në protestën e 29 shtatorit populli i Kosovës ka dëshmuar se nuk i nënshtrohet një njeriu”, tha Kurti në një konferencë për shtyp..
Lideri i VV-së ka thënë se Thaçi do të shkojë drejt rrugës së ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
“Para dy viteve e gjysmë pak kujt, në mos askujt, nuk ia mori mendja që fiton Trump dhe ngjan Brexit. Por, askujt para një viti e gjysmë nuk ia mori mendja se Gruevski do të kërkoi azil në Hungari, e kësaj rruge drejt azilit politik, por në Rusi, është edhe Hashim Thaçi. Ne nuk mund ta ndalim rrugëtimin e tij, por mund ta ndalim që të mos e marrë me vete edhe Kosovën”, ka theksuar Kurti, transmeton Telegrafi.
Ai më tutje ka propozuar alternativat me katër hapa, për bisedime dhe zgjedhje të qëndrueshme me Serbinë: Shqyrtimi dhe vlerësim i dialogut 6 vjeçar në mes Kosovës dhe Serbisë; Duhet të dimë çka duam dhe cilat janë qëllimet tona; Prezantimi i platformës me parime në mes Kosovës dhe Serbisë; Ekipi negociator me përbërje gjithëpërfshirëse dhe strategji të fuqishme.