Ballina Bota Analiza ANALIZA: Si duhet t’i përshtatemi Globalizimit

ANALIZA: Si duhet t’i përshtatemi Globalizimit

Nga Klaus Schwab

Gjeneve- Pas Luftës së Dytë Botërore, bashkësia ndërkombëtare u bashkua për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. Tani, duhet ta bëjë këtë përsëri. Për shkak të rikuperimit të ngadaltë dhe të pabarabartë, në dekadën që nga kriza globale financiare, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë është bërë e pakënaqur jo vetëm me politikën dhe politikanët, por edhe me globalizimin dhe të gjithë sistemin ekonomik që ai mbështetet.

Në një epokë të pasigurisë dhe zhgënjimit të gjerë, populizmi është bërë gjithnjë e më tërheqës, si një alternativë ndaj statuskuosë. Por diskursi populist përjashton – dhe shpesh ngatërron – dallimet thelbësore ndërmjet dy koncepteve:globalizimit dhe globalizmit.

Globalizimi, është një dukuri e nxitur nga teknologjia dhe lëvizja e ideve, njerëzve dhe mallrave. Globalizmi është një ideologji, që ka si prioritet rendin global neoliberal, mbi interesat kombëtare. Askush nuk mund ta mohojë, se po jetojmë në një botë të globalizuar. Por nëse të gjitha politikat tona duhet të jenë “globaliste”, kjo është shumë e diskutueshme.

Tek e fundit, ky moment i krizës ka ngritur pikëpyetje të rëndësishme, rreth arkitekturës sonë të qeverisjes globale. Me gjithnjë e më shumë votues që synojnë të “marrin kontrollin” nga “forcat globale”, sfida është rivendosja e sovranitetit në një botë që kërkon bashkëpunim.

Në vend se të mbyllim ekonomitë nëpërmjet proteksionizmit dhe politikës nacionaliste, ne duhet të farkëtojnë një aleancë të re sociale ndërmjet qytetarëve dhe udhëheqësve të tyre, në mënyrë që të gjithë të ndihen mjaftueshëm të sigurt në shtëpi, për të qëndruar të hapur ndaj botës në përgjithësi. Në mungesë të kësaj, shpërbërja e vazhdueshme e kohezionit tonë social, mund të çojë në fund të fundit në shembjen e demokracisë.

Për më tepër, sfidat që lidhen me Revolucionin e Katërt Industrial (4IR), po përkojnë me shfaqjen e shpejtë të kufizimeve ekologjike, ardhjen e një rendi ndërkombëtar gjithnjë e më shumë polar, dhe rritjen e pabarazisë. Këto zhvillime të integruara, po hyjnë në një epokë të re të globalizimit.

Nëse kjo do të përmirësojë gjendjen e njerëzimit, kjo do të varet nga ajo nëse qeverisja e korporatave, lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, mund të përshtatet me kalimin e kohës. Ndërkohë, ka marrë formë një kornizë e re për bashkëpunimin global publiko-privat. Bashkëpunimi publiko-privat, ka të bëjë me shfrytëzimin e sektorit privat dhe tregjeve të hapura, për të nxitur rritjen ekonomike për të mirën publike, duke pasur gjithnjë parasysh qëndrueshmërinë mjedisore dhe përfshirjen sociale.

Por për të përcaktuar të mirën publike, duhet më së pari të identifikojmë shkaqet rrënjësore të pabarazisë. Për shembull, përderisa tregjet e hapura dhe konkurrenca në rritje, sigurisht që prodhojnë fitues dhe humbës në arenën ndërkombëtare, ato mund të kenë një efekt edhe më të theksuar në pabarazinë në nivel kombëtar.

Për më tepër, rritja e ndarjes mes atyre me punë të përkohshme dhe të privilegjuarve, po përforcohet nga modelet e biznesit 4IR, të cilat shpesh përfitojnë nga zotërimi i kapitalit ose i pronësisë intelektuale. Mbyllja e kësaj ndarje, kërkon që ne të pranojmë se po jetojmë në një lloj ekonomie të re, të nxitur nga risitë, dhe se normat e reja globale, standardet, politikat dhe konventa,t janë të nevojshme për të mbrojtur besimin e publikut.

Ekonomia e re, tashmë ka ndërprerë dhe ri-kombinuar industri të panumërta, dhe ka zhvendosur miliona punëtorë. Është de-materializimi i prodhimit, ai që po rrit intensitetin e njohurive të krijimit të vlerës. Po rrit konkurrencën brenda produkteve vendore, kapitalit dhe tregjeve të punës, si dhe midis vendeve që miratojnë strategji të ndryshme tregtare dhe investuese.

Dhe kjo po nxit mosbesimin, veçanërisht të kompanive të teknologjisë dhe administrimin e të dhënave tona. Ritmi i pashembullt i ndryshimeve teknologjike, nënkupton se sistemet tona të shëndetit, transportit, komunikimit, prodhimit, shpërndarjes dhe energjisë – vetëm sa për të përmendur disa – do të transformohen tërësisht.

Menaxhimi i këtij ndryshimi, do të kërkojë jo vetëm korniza të reja ligjore për bashkëpunimin kombëtar dhe shumëkombësh, por edhe një model të ri të arsimimit, i kompletuar me programe që synojnë aftësimin e punëtorëve të rinj. Me përparimet në robotikë dhe inteligjencën artificiale, në kontekstin e shoqërive në plakje e sipër, ne do të duhet të lëvizim nga narrativa e prodhimit dhe e konsumit, drejt asaj të ndarjes dhe kujdesit shëndetësor.

Globalizimi 4.0 sapo ka filluar, por ne jemi shumë të papërgatitur për të. Ngulitja tek një mentalitet i vjetëruar dhe ngatërrimi me proceset dhe institucionet ekzistuese, nuk do të funksionojë. Përkundrazi, ne duhet t’i riorganizojmë ato nga themeli, në mënyrë që të përfitojmë nga mundësitë e reja që na presin, duke shmangur kësisoj llojet e shkëputjeve që po shohim sot.

Ndërsa zhvillojmë një qasje të re për ekonominë e re, duhet të mos harrojmë, se nuk po luajmë një lojë me shumën zero. Kjo nuk është një çështje e tregtisë së lirë apo e proteksionizmit, teknologjisë apo vendeve të punës, emigracionit ose mbrojtjes së qytetarëve, dhe rritjes apo barazisë.

Këto janë të gjitha ndarje të rreme, të cilat ne mund t’i shmangim, duke zhvilluar politika që favorizojnë “dhe” mbi “ose”, duke lejuar që të gjitha grupet e interesave të ndiqen paralelisht.

Sigurisht, pesimistët do të argumentojnë se nuk ekzistojnë kushtet politike për një dialog produktiv global, rreth Globalizimit 4.0 dhe ekonomisë së re.

Por realistët do të përdorin momentin aktual, për të shqyrtuar boshllëqet në sistemin aktual, dhe për të identifikuar kërkesat për një qasje të ardhshme. Dhe optimistët do të vazhdojnë të shpresojnë, se aktorët e orientuar nga e ardhmja, do të krijojnë një komunitet me interes të përbashkët, dhe në fund të fundit, një qëllim të përbashkët.

Ndryshimet që janë duke u zhvilluar sot nuk janë të izoluara në një vend, industri apo çështje të caktuara. Ato janë universale, ndaj kërkojnë një përgjigje globale. Dështimi për të adoptuar një qasje të re bashkëpunimi, do të qe një tragjedi për njerëzimin. Për të hartuar një plan për një arkitekturë të përbashkët të qeverisjes globale, duhet të shmangim zhytjen në momentin aktual të menaxhimit të krizës.

Në mënyrë specifike, kjo detyrë do të kërkojë dy gjëra nga bashkësia ndërkombëtare:angazhim më të gjerë dhe një imagjinatë më të madhe. Angazhimi i të gjitha palëve të interesuara në dialog të qëndrueshëm do të jetë vendimtar, ashtu si të menduarit në mënyrë sistematike, dhe përtej konsideratave institucionale dhe kombëtare afatshkurtra.

Këto do të jenë parimet e organizimit të takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i cili do të mblidhet nën temën “Globalizimi 4.0:Ngritja e një arkitekture të re në epokën e Revolucionit të Katërt Industrial”. Jemi gati apo jo, një botë e re është në prag.

Shënim: Klaus Schwab, është themelues dhe kryetar ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror.

Burimi: “Project Syndicate”

Në shqip nga bota.al