Prokuroria Speciale pretendon se ka marrë informata se Janakieski dhe Bozhinovski planifikonin të arratiseshin në të njëjtën mënyrë si Nikolla Gruevski dhe për këtë gjykata në orën 5 të mëngjesit të ditës së sotme i arrestoi duke iu shqiptuar paraburgim 30 ditësh. Të dy janë akuzuar në një nga rastet më të mëdha të Prokurorisë Speciale “Titanik”, për bashkim kriminal, shpërdorim të fondeve për fushatë dhe pozitën zyrtare. Por ata sot nuk morën pjesë në seancën gjyqësore, sepse gjykatësi kishte mësuar vonë se ishin në paraburgim dhe nuk kishte pasur kohë të lëshonte një urdhër për shoqërimin e tyre aty. Siç pritej, nuk ishte i pranishëm as i pandehuri i parë Nikolla Gruevski. Prokurorja Lile Stefanova nuk donte të thoshte se në çfarë mënyre është arratisur Gruevski, dhe të cilën eventualisht e kishin planifikuar edhe Janakieski dhe Bozhinovski. Thotë – ky është informacion operativ.
Kushdo që e gjen veten në një situatë të tillë, sidomos në Titanik, ku të pandehurit akuzohen për së paku 4, 5, 3 vjet burgim, rreziku i arratisjes është serioz dhe mendoj se më parë ky rrezik nuk u mor në konsideratë seriozisht dhe ndodhi çfarë ndodhi- deklaroi Lile Stefanova, Prokurore pranë Prokurorisë Speciale Publike.
Avokati i Janakieskit për herë të fundit u pa me klientin një ditë më parë. Ai thotë se asgjë nuk ka çuar në arratisjen e tij, ndërsa policia e gjeti atë në shtëpinë e tij.
Askush nuk është njoftuar, se në kuptimin e një propozimi të tillë mund të shprehet, si një propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit. Të gjithë ju jeni dëshmitarë se Mile Janakieski, të paktën unë besoj se ishte prezent në gjykatë, para një numri të madh të gjykatësve që punojnë në Gjykatë, duke marrë pjesë në seancat gjyqësore në Gjykatë, që nuk mund të konsiderohen si bazë për arratisje ose përgatitje për arratisje- deklaroi Elenko Milanov – avokat i Mile Janakieskit.
Ndërkohë arratisjen e Gruevskit e dënuan Janakieski dhe të pandehurit, ish-zyrtarët Gordana Jankulloska dhe Vladimir Peshevski. Ata thonë se ky veprim do të dëmtojë të pandehurit e tjerë. Jankulloska e cila ankohet në Apel për dënimin gjashtëvjeçar për rastin “Tanku”, për shkak të të cilit Gruevski u arratis, shpreson se për të nuk do të ketë paraburgim.
Unë kam masa të caktuara të kujdesit, i respektoj dhe nuk ka arsye që të ndryshohen masat e mia- tha Gordana Jankullovska – ish ministre e Brendshme.
Megjithatë, nga një sërë masash të shqiptuara të paraburgimit në periudhën e kaluar, tani për tani ka shpëtuar ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijalkov. Ai akuzohet në disa lëndë, ndërsa është kushëri i parë i Nikolla Gruevskit.
Nëse ekziston baza më e vogël e dyshimit se ekziston rreziku i arratisjes apo ndikimit ndaj ndonjë dëshmitari, menjëherë do të dorëzohet kërkesa për paraburgim. Nuk ka të paprekshëm në këtë vend- deklaroi Lile Stefanova – Prokurore e Prokurorisë Speciale Publike.
Stefanova kërkoi që lënda “Titanik” e Gruevskit të gjykohet në mungesë. Për avokatët më e dobishme është që procedura e Gruevskit të veçohet, sepse sipas tyre, i shkurtohet e drejta e tij për të marrë pjesë në procedurë. Vendimi i gjykatës për mënyrën se si do të vazhdojë procesi për këtë rast do të dihet më datën 23 të këtij muaji, kur është caktuar seanca e re.
Alsat