As komuna e Tetovës dhe Qeveria nuk mbajtën premtimet që iu dhanë banorëve të fshatit Poroj pas vërshimeve të para një viti. Edhe një vit pas katastrofës natyrore që përfshiu këtë rajon, shtrati i lumit vazhdon të jetë i pa pastruar, ujësjellësi i pa rregulluar dhe ura e vogël e pa riparuar. Kreu i bashkësisë lokale të këtij fshati shprehet se, të gjitha premtimet që u bënë gjatë vizitave, mbetën vetëm fjalë.
Kur ka reshje është shumë e trishtueshme, në çdo moment e ndjejmë rrezikun se mund të ketë vërshime. Sa iu përket premtimeve, ardhjes së kryeministrit, zëvendës kryeministrit dhe kryetarja, premtimet ishin shumë të mëdha, ndërsa punët, mos me thënë zero. Erdhën atë vit pastruan hoqën nja 10 maune në pjesën e rrugës këtu, pastaj thanë që do pastrohet një kilometër lartë dhe një poshtë por asnjëherë nuk u bë ajo punë”- u shpreh Sulejman Ramadani, kryetar i BL Puroj.
Banorët ndjehen të zhgënjyer nga pushteti lokal dhe ai qendror.
“Veç muhabete mbetën, asgjë nuk kanë punuar aspak. Si përherë, asnjëherë nuk e kanë bë një punë sikur duhet, gjithnjë me gabime nga ana e komunës dhe nga ana e shtetit, dhe jemi shumë në rrezik tani me këto reshjet”.
“Nga komuna ka gati dy e më tepër vite që kërkojmë gypa për ujësjellësin nga lartë deri në rezervuar nga komuna e kërkojmë këtë që e kanë premtuar ta realizojnë”.
“Banorët kërkojnë që, meqë koha tani nuk premton për tu bë pastrimi i shtratit të lumit, të paktën komuna të intervenojë në rregullimin e ujësjellësit të këtij fshati, që të mund, të kenë ujë për pije”.
Nga komuna e Tetovës, por edhe nga Qeveria mbeten ende në qëndrimin se, intervenimet në Poroj, por edhe në vendet e tjera që rrezikohen nga vërshimet, do të bëhen në kuadër të planit afatgjatë, i cili mund të zgjas edhe me vite. Përndryshe, në Poroj, nuk u kompensuan në vlerën e duhur as edhe dëmet që shkaktuan vërshimet në fushat e mbjella.
Bashkim Sulejmani