Rikthimi i Lionel Messit nuk ka rezultuar aspak fatsjellës për Barcelonën, që me argjentinasin në fushë, dështon të fitojë për herë të dytë radhazi në kampionat, pas humbjes befasuese ndaj Betisit para dy javëve.
Katalanët e Valverdes nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në transfertën ndaj Atleticos së madridit, në “Wanda Metropolitana”, një sfidë që gjithsesi mund të kishte shkuar edhe më keq për Barçën.
Ndonëse ishin “blaugranat” që dominonin lojën dhe kontrollin e topit, sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 72-të, kur Antoinne Griezmann shërbeu saktë nga këndi për Diego Costën dhe sulmuesi brazilian nuk fali, duke dërguar topin në rrjetën e portës së ter Stegen.
Gjithsesi, kur dukej se skuadra e Simeones po shkonte drejt suksesit të mundimshëm përballë Barcelonës, kapiteni i katalanëve, Lionel Messi shërbeu mjaft bukur për Dembele, dhe francezi arriti të mposhtë portierin Oblak, duke rikthyer baraspeshën.
Me këtë rezultat, të dy skuadrat ndajnë nga një pikë dhe mbeten në krye të renditjes, me Barçën në kuotën e 25 pikëve dhe Atleticon në kuotën e 24 pikëve, ndërsa nesër mund të përfitojë Sevilla, që në rast fitoreje ndaj Valladolidit, merr vendin e parë në renditje.