Kosova ka dështuar të anëtarësohet në INTERPOL, pas dy raunde votimi që janë zhvilluar në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate. Si në raundin e parë, ashtu dhe në atë të dytë, Kosova nuk arriti të merrte 2/3-at e votave të nevojshme për anëtarësim, përfshi abstenimet.
Në raundin e parë votuan 156 vende, prej të cilave 76 pro, 22 abstenime dhe 56 kundër. Ndërsa në të dytin 68 pro, 51 kundër dhe 16 abstenime.
Është pikërisht Asambleja e Përgjithshme, ajo që voton për anëtarësimin ose refuzimin e një kandidature, siç ishte edhe rasti i Kosovës. Shteti kandidat duhet të ketë 2/3-tat e votave të të gjitha shteteve, duke përfshirë edhe abstenimet.
Lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë policore ishte shumë i ashpër.
Kosova kishte aplikuar edhe më parë për anëtarësim në INTERPOL.
Aplikimi i parë për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL ishte bërë në vitin 2010 nga krerët e MPB-së së Qeverisë së Kosovës të asaj kohe. Kërkesa për aplikim ishte dorëzuar tek Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, por e cila nuk ishte kaluar tek organet tjera të INTERPOL-it për shqyrtim të mëtejshëm.
Kërkesa e dytë e institucioneve kosovare për anëtarësim në INTERPOL ishte bërë në muajin prill të vitit 2015. E nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, aplikacioni i dytë ishte dorëzuar në INTERPOL përmes kanaleve të tërthorta, gjegjësisht ishte përcjellë në INTERPOL nga misioni i UNMIK-ut, por që organet e INTERPOL-it nuk e kishin marrë në shqyrtim aplikacionin.
Ndërkaq, në vitin 2007 Kosova ishte tërhequr nga aplikimi në INTERPOL
Për anëtarësim në këtë organizatë nevojiteshin shumica prej 2/3 (dy të tretave) të votave të anëtarëve të shteteve të INTERPOL-it që janë të pranishëm në punimet e Asamblesë së Përgjithshme kur votohet për anëtarësimin e një shteti në INTERPOL.
Interpol është organizata më e madhe e policisë ndërkombëtare, ndërsa është themeluar në vitin 1923 për të nxitur bashkëpunimin policor. Në fakt, roli bazë i INTERPOL-it është të funksionojë si një qendër informacioni.
Për t’u anëtarësuar në INTERPOL nuk është kusht të jesh vend anëtar i OKB-së.