Nga Katy Steinmetz
Duke qëndruar i ulur para një kompjuteri jo shumë kohë më parë, një profesor i vjetër historie, u përball me një sfidë, me të cilën përballen çdo ditë miliarda prej nesh:të vendoste nëse duhej t’i besonte diçkaje që po lexonte në internet. Në ekranin e kompjuterit, ishte një artikull i botuar nga një grup i quajtur Kolegji Amerikan i Pediatërve, që diskutonte se si duhen trajtuar bullizmi në shkollë.
Ndër këshilla që ofronte:shkollat nuk duhet të nxjerrin në pah grupime të caktuara të targetuara nga ngacmimet, pasi në këtë mënyrë mund të tërheqin vëmendjen mbi “adoleshentët e përkohshësisht të hutuar”. Duke analizuar faqen, profesori mori shënim adresën e internetit “.org”, si dhe një listë të citimeve akademike.
Dizajni i kuruar i faqes, i jepte besueshmëri, mendoi ai. Pas 5 minutash, ai kishte gjetur pak arsye për të dyshuar tek artikulli. “Unë jam duke kërkuar në një faqe zyrtare”- tha ai. Ajo që profesori nuk e kuptoi, kur u përqendrua tek veçoritë sipërfaqësore të faqes, është se grupi në fjalë është një fraksion konservator që u shkëput në vitin 2002 nga Akademia Amerikane e Pediatrisë, për shkak të kundështimit të adoptimit të fëmijëve nga çiftet e të njëjtit seks.
Profesorit të shumë-lexuar, i ishte kërkuar të vlerësonte artikullin, si pjesë e një eksperimenti të drejtuar nga psikologu i Universitit të Stenfordit, Sem Uajnburg. Ekipi i tij, i njohur si Grupi i Edukimit të Historisë, iu dha një sërë detyrash të tilla, me shpresën për t’iu përgjigjur dy pyetjeve më shqetësuese të epokës së internetit:Pse edhe më të zgjuarit mes nesh, janë aq dobët në gjykimin se çfarë të besojnë në internet? Dhe si mund të bëhemi më të aftë?
Ekipi i Uajnburg zbuloi se amerikanët e të gjitha moshave, nga ata të dijeve digjitale tek akademikët me një nivel të lartë inteligjence (IQ), nuk bëjnë pyetje të rëndësishme për përmbajtjen që hasin në një faqe. Studime të tjera, kanë treguar se njerëzit ripostojnë linqe edhe pa klikuar fare mbi to, dhe mbështeten shumë në motorët e kërkimit.
Në eksperimentet e tij, shkencëtari konjitiv në Universitetit e Masaçusetsit, MIT, Dejvid Rend, ka gjetur se njerëzit janë zakonisht të prirur të besojnë lajmin e rremë në të paktën 20 për qind të kohës. Por paaftësia jonë për të shqyrtuar të vërtetën nga trillimi në internet, është sigurisht, më shumë se sa një çështje akademike.
Vërshimi i “fake neës” dhe i ‘kushërinjve’ të tij të shumtë, ka bërë që ekspertët të kenë frikë për të ardhmen e demokracisë. Politikanët dhe ekspertet e teknologët, kanë paralajmëruar se ndërhyrësit po përpiqen të manipulojnë zgjedhjet anembanë globit, duke përhapur dezinformime. Kjo është ajo që bënë agjentët rusë në vitin 2016, sipas agjencive të inteligjencës amerikane. Dhe më 31 korrik, Facebook zbuloi se kishte gjetur dëshmi për një fushatë të ndikimit politik në këtë platform, përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Por rreziqet janë edhe më të mëdha se sa zgjedhjet. Aftësia jonë për të filtruar informacionin, ka rëndësi sa herë që çdo herë nënë pyet në Google, nëse fëmija i saj duhet të vaksinohet. Në Indi, thashethemet mbi rrëmbimet e fëmijëve që u përhapën në WhatsApp, bënë që turma njerëziash të rrihnin njerëz të pafajshëm në rrugë deri në vdekje.
“Është e barabartë me një krizë të shëndetit publik”- thotë Alan Miller, themelues i projektit jo-partizan të Edukimit mbi Lajmet. Ky problem nuk ka një rregullim të shpejtë, megjithëse kompanitë e teknologjisë ndodhen nën një presion në rritje për të dalë me një zgjidhje.
Facebook, humbi më shumë se 120 miliardë dollarë në bursa vetëm në një ditë në korrik të këtij viti, pasi kompania po përballej me një varg çështjesh që kufizonin rritjen e saj, duke përfshirë kritikat se si teoritë e konspiracionit ishin përhapur në platformë. Por inxhinierët nuk mund t’i mësojnë një makine, të vendosë se çfarë është e vërtetë apo e rreme, në një botë ku njerëzit shpesh nuk bien dakord mbi shumëçka.
Problem nuk janë vetëm trolls-at në rrjet, por jemi edhe ne, lexuesit e prekshëm. Dhe ekspertët si Uajnburg, besojnë se sa më mirë të kuptojmë mënyrën se si mendojmë në botën digjitale, aq më shumë shanse kemi për të qenë pjesë e zgjidhjes. Ne nuk biem pre e lajmeve të rreme, vetëm pse jemi budallenj.
Shpesh kjo është pasojë e lejimit të impulseve të gabuara, që të marrin një rol kryesor. Ne jemi kafshë shoqërore, dhe dëshira për të dhënë ‘like’, mund të zëvendësojë një ndjenjë të fshehur, se një histori tingëllon e dyshimtë. Bindjet politike, na çojnë tek një dembelizm i të menduarit.
Por në lojë është një impuls më themelor:dëshira jonë e lindur për përgjigje të thjeshta. Njerëzve, u pëlqen të mendojnë se janë qënie racionale, por në shumicën e kohës ne udhëheqemi nga mendimi emocional dhe irracional. Psikologët e kanë treguar këtë përmes studimit të shkurtesave njohëse të njohura si heuristika.
Kjo është tendenca jonë për të supozuar se nëse diçka është e njohur, duhet të jetë e mirë dhe e sigurt. Këto zakone të mendjes sonë, i kanë ndihmuar me siguri paraardhësit tanë të mbijetonin.
Por problemi është se mbështetja në to, mund të çojë shumë njerëz në humbje, veçanërisht në një mjedis online.
Në një nga eksperimentet e tij, Rend ilustroi anën e errët të heuristikës, tendencën tonë për të besuar gjërat ndaj të cilave jemi ekspozuar në të kaluarën. Studimi i njohu vullnetarët në eksperiment me tituj lajmsh – disa të rremë, disa të vërtetë – në një format identik me atë që përdoruesit shohin në Facebook.
Rend zbuloi se thjesht ekspozimi ndaj lajmit të rremë, i bënte njerëzit të kishin më shumë të ngjarë të vlerësonin ato histori si të sakta më vonë gjatë eksperimentit. Nëse e keni parë diçka më parë, “truri juaj nënkupton ta përdorë atë si një tregues se është e vërtetë”- thotë Rend. Kjo është një tendencë, për të cilën propagandistët kanë qenë gjithmonë të vetëdijshëm.
Dallimi është se nuk ka qenë kurrë më e lehtë sesa sot, për të marrë mesazhe të tilla. Akademikët po fillojnë të kuptojnë të gjitha mënyrat, se si truri ynë formohet nga interneti, një arsye kyçe se pse ndalimi i përhapjes së keqinformimit është kaq i ndërlikuar. Ndërkohë studime të tjera, kanë treguar se njerëzit mendojnë se sa më i kërkuar të jetë një lajm i caktuar në rezultatet e kërkimit në Google, aq më i besueshëm është.
Por algoritmet e Google, po krijojnë përmbajtje të bazuara në fjalë kyçe, dhe jo mbi të vërtetën. Nëse pyesni mbi përdorimin e farave të kajsisë në kurimin e kancerin, Google do të shfaqë linqet që na bindin se kjo mënyrë kurimi funksionon. “Një motor kërkimi, është thjesht një motor kërkimi”- thotë Riçard Gingres, nënkryetar i seksionit të lajmeve në Google.
“Unë nuk mendoj që nëse dikush dëshiron vërtet që Google, të jetë arbitri i asaj që është ose nuk është një shprehje e pranueshme”. Ky është vetëm një shembull se si ne duhet të ri-trajnojmë trurin tonë. Në studimet e tij, Uajnburg zbuloi se njerëzit e të gjitha moshave, janë të prirur të vlerësojnë burimet e informacionit në internet në bazë të karakteristikave si URL-ja e faqes dhe dizajni grafik, gjëra që janë shumë të lehta për t’u manipuluar.
Ka shumë mundësi që njerëzit mbërrijnë në këto faqe, kur janë aq të lodhur nga lajmet. Por kur kundërshtojmë gjykimet e parakohshme, e kemi më të vështirë për t’u mashtruar. “Ju thjesht duhet të ndaloni një moment dhe të mendoni. Të gjitha të dhënat që kemi mbledhur, sugjerojnë se ky është problemi i vërtetë. Nuk është se njerëzit janë super- paragjykues, dhe e përdorin aftësinë e tyre të arsyetimit për të mashtruar veten, duke besuar gjëra të çmendura. Problemi është se njerëzit nuk po ndalojnë asnjë moment. Ata vazhdojnë vetëm të lundrojnë në rrjet”- përfundon Rend.
Marrë me shkurtime nga TIME – Në shqip nga Bota.al