Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë miratuar rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Rezoluta e LDK-së e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, morri 50 vota nga 90 deputetë sa ishin në sallë.
Fillimisht shefat e grupeve parlamentare u mblodhën për të harmonizuar qëndrimet për rezolutën, por më vonë u kuptuar se pozita dhe opozita nuk janë pajtuar, madje ata erdhën në seancë dhe akuzuan njëri-tjetrin.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se nuk kanë arritur të dakordohen me shefat e grupeve parlamentare, por pikan 6 të propozuar nga PDK, e kanë riformoluar.
“Nuk kemi arritur të dakordohemi, mëngjitë si propozues ne kemi shprehur gatishmërinë që pikën 6 të rezolutës të propozuar nga PDK, ta riformolojmë dhe bashkë me rezolutën tonë të duket kështu. Kuvendi i Kosovës rithekson se Kushtetuta, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. As presidenti, as askush tjetër nuk ka të drejt të negocioj për territorin e Kosovës”, tha ai.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se deputetët e pozitës nuk marrin pjesë në votimin e rezolutës së propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi është një kurth i padrejtë që ata nuk do të bienë.
Krasniqi në seancën e sotme, tha se në takimin me shefat e grupeve parlamentare nuk pati vullnet për dakordim pasi propozuesi insiston që mos t’i merr parasysh propozimet e koalicionit.
“Ne nuk do të marrim pjesë fare në votim sepse ky kurth i padrejtë në të cilin po mendon propozuesi ta fus koalicionin, pavarësisht që mund të jetë legjitim, ne nuk do të bimë atë, nëse këta do ta hedhin në votim dhe të shohin nëse ne do të votojmë, ne nuk votojmë kundër sovranitetit të Kosovës”, tha ai.
Ai shtoi se nuk do të heqin dorë dhe nuk do të dorëzohen nga kërkesa që në ditët në vijim të gjejnë një konsensus për dialogun.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca situata në të cilën jemi kërkon vetëm masa preventive, që është presidentit Thaçi t’i ndalohet të merret me dialogun.
“Mazhoranca po e mbron verbërisht presidentin në qëndrimet e tij politike, ne nuk e kemi me presidentin që e ka mërin Hashim Thaçi, mund ta kishte edhe ndryshe emrin por po ta kishte thënë që e ka projekt që të lëvizin kufijtë e Kosovës, ne do të reagonim njëjtë, kurse, këta janë lidhur me personin, duhet ta mbrojnë sepse mendojnë se kjo ka konsekuenca politike në jetëgjatësinë e kësaj qeverie dhe ku është thelbi i problemit“, tha ai.
Dardan Sejdiu nga Partia Social Demokratike, do të punojnë që Kuvendi të jetë arena në të cilin dialogu kthehet dhe prej të cilin merren vendimet.
“Edhe sot në takimin me shefat e grupeve parlamentare unë kam shprehur qëndrimin pro kësaj rezolute, por nuk besoj që duke qëndruar të barrikaduar në pozicione partiake ndërtojmë situatë me të cilën e tejkalojmë ngërçin e krijuar tashmë, duke mos dashur t’i kthejmë dialogun Kuvendit“, tha ai.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi tha se opozita po vazhdon me avazin e vjetër duke u bllokuar vetëm në atë që e thonë vet.
“Ne e kemi thënë se askush nga personalitetet shtetërorë të vendit nuk ka të drejt të bisedojnë për territorin e Republikës së Kosovës sepse kjo është e përcaktuar me Kushtetutën”, tha ai.
Shefi i grupit të Nismës Socialdemokrate, Billal Sherifi tha se si pozitë janë pajtuar se propozimi nga dy partitë opozitare të forcohen por në fakt ishin ata që u barrikaduan.
Në fund, rezoluta nuk është miratuar pasi nga 90 deputet ka marrë vetëm 50 vota. Ndërsa, deputetët e LDK-së dhe VV-së lëshuan sallën, raporton Kosova Press.
Top Channel