Një javë pas dorëheqjes surprizë të Fatmir Xhafajt nga posti i Ministrit të Brendshëm, Kuvendi ka votuar me 75 vota pro dekretin e presidentit Meta për shkarkimin e tij nga detyra.
Në seancën e jashtëzakonshme mbajti një fjalë të gjatë kryeministri Edi Rama, i cili falënderoi Xhafajn për bashkëpunimin, por u përqendrua te konflikti që është krijuar me mazhorancës qeverisëse dhe Presidentit Ilir Meta pas mosdekretimit të Sandër Lleshit.
E teksa me shkarkimin e Fatmir Xhafajt, ministria e Brendshme mbetet zyrtarisht pa titullar, Rama ka hedhur sërish topin në fushën e Ilir Metës për të rimenduar kandidatin Sandër Lleshi, i cili do të ketë përkohësisht kompetencat e ministrit.
“Koha më ka mësuar që të mos e them fjalën e fundit të parën, sot të votojmë shkarkimin e Xhafës, që e falënderoj për bashkëpunimin më pas votojmë në qeveri ministri e Brendshëm, si zv.ministër, që e refuzoi presidenti, dhe do t’i japim presidentit kohë që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë por edhe vetes”, tha Rama para votimit.
Ndërkohë vetë Fatmir Xhafaj ka zgjedhur të braktisë sallën e Parlamentit në momentin kur kolegët e tij socialistë votuan për shkarkimin e tij nga detyra.