Nga Igor Stiks
Dy vjet më parë, në një intervistë për Evropën e Lirë, një deklaratë e imja tërhoqi vëmendje. Reagimet pozitive dhe negative u shkaktuan më së shumti nga një fjali e vetme: “Zgjerimi i BE-së (në Ballkanin Perëndimor) nuk do të ndodhë”.
Shumë e vlerësuan këtë si një mënyrë të hapur për t’i thënë gjërat, të tjerë e panë si provokim. Por mbi të gjitha, të shumtë ishin ata që e panë këtë si thjesht skandaloze. Ata mendonin se ishte e papërgjegjshme, të thuhet kjo pikërisht tani, kur vendet e Ballkanit duhet të bëjnë hapat përfundimtarë për t’i dhënë fund tranzicionit të tyre post-socialist.
Në atë kohë, unë argumentoja se, edhe nëse zgjerimi eventualisht do të ndodhë, BE-ja si rezultat do të jetë një strukturë thellësisht e riorganizuar, me një Zot e di se sa anëtarë dhe çfarë lloj rregullash të brendshme. Atëherë ideja ishte, siç është sot, që ne duhet ta pranojmë dështimin e të ashtuquajturit evropianizim të Ballkanit, duke u ballafaquar me atë që janë promovuar për dy dekada si “zgjidhjet” – unë i quaj tre iluzionet – për gjithçka që është e vështirë në rajon: vetë integrimi evropian, drejtësia tranzicionale dhe reformat ekonomike neoliberale.
Iluzioni i parë, se integrimi do të kurojë gjithçka, është mbështetur në logjikën e përbashkët se, që nga fillimi i viteve 1990, Ballkani është “ballkanizuar”, ndërsa Europa ka vijuar të “europianizohet”. Duke kundërshtuar nacionalizmin etnik dhe luftërat për territorin, BE-ja është angazhuar në një integrim gjithnjë e më të madh brenda një sistemi të bazuar në vlera demokratike dhe në sundimin e ligjit. Zgjidhja e dukshme për nacionalizmin, luftën dhe spastrimin etnik në vendet e Ballkanit duket se ishte integrimi i tyre në BE, duke u mundësuar atyre që të hidhen në bordin e trenit të pandalshëm të prosperitetit liberal dhe të një tregu të përbashkët. Në të vërtetë, Sllovenia u bashkua në vitin 2004, e ndjekur nga “Ballkani Lindor” – Rumania dhe Bullgaria – në vitin 2007, edhe pse këto dy vende të fundit iu nënshtruan monitorimit të vazhdueshëm. Me pas, me disa vështirësi, BE-ja përfundimisht arriti të “kapërdijë” një kandidat tjetër, Kroacinë, e cila u integrua në vitin 2013.
Vendet e tjera të Ballkanit, të cilave në mënyrë administrative u referohemi si Ballkani Perëndimor, që nga ajo kohë janë grupuar dhe tani përbëjnë njëfarë getoje brenda BE-së. Si grup i përbërë nga 5 ose 6 shtete (në varësi të faktit nëse dikush e njeh apo jo pavarësinë e Kosovës) dhe rreth 18 milionë banorë, shumë ngrenë pyetjen se si ka mundësi që BE-ja e fortë me 500 milionë euro nuk mund ta integrojë këtë copëz të territorit të Europës. Përgjigjja nuk qëndron në procesin teknik të përkthimit të termit acquis communautaire, as në ngurrimin e supozuar të shteteve të Ballkanit për të ndërmarrë reforma, por në sinergjinë e tre elementëve të mëposhtëm: së pari, e shtyrë nga elektoratet gjithnjë e më nacionaliste të vendeve anëtare dhe e lidhur me një strukturë vendim-marrëse joefikase dhe paralizuese, BE-ja aktualisht nuk dëshiron të zgjerohet; së dyti, elitat qeverisëse në Ballkan nuk shohin përfitime të rëndësishme politike apo ekonomike për regjimet e tyre klienteliste me anëtarësimin në BE; dhe së treti, qytetarët në këto vende po vëzhgojnë krizën institucionale të BE-së dhe duke bërë këtë e kanë kuptuar shumë mirë se anëtarësimi në BE nuk do t’u garantojë prosperitet (nuk ka nevojë të shohim përtej shembullit të Kroacisë dhe Bullgarisë). Shumë qytetarë të Ballkanit, sidomos ata që janë të rinj dhe të arsimuar, kanë zgjedhur ta marrin fatin e tyre në dorë dhe t’i bashkohen BE-së nëpërmjet emigrimit.
Iluzioni i dytë, ai i “shërimit” përmes drejtësisë tranzicionale, ofroi shpresë të vërtetë për Ballkanin e pasluftës, veçanërisht me punën e Gjykatës Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ideja mbi të cilën u ngrit kjo gjykatë ishte e thjeshtë: ekspozimi i fakteve dhe çuarja e kriminelëve në gjyq nuk do të sillte vetëm drejtësi, por edhe një katarsis të thellë politik dhe moral në shoqëritë e Ballkanit. Arkivat e ish-Jugosllavisë përfaqësojnë një bazë të dhënash monumentale të asaj se sa e keqe mund të bëhet një qenie njerëzore, ku në mënyrë të detajuar dokumentohen krime të tmerrshme lufte. E megjithatë, arkitektët e drejtësisë liberale nuk llogaritën një gjë të thjeshtë: njëzet e pesë vjet është një kohë e gjatë në politikë. Përkundër pritjes, kriminelët e luftës nga të gjithë krahët nderohen sot në komunitetet e tyre për akte që përshkruhen si heroike; dhe krimet e tyre, nganjëherë pranohen në mënyrë cinike (dikush duhej ta bëjë këtë apo jo?), por sheqerosen përmes narrativës së vetëviktimizimit.
Iluzioni i fundit që iu shit Ballkanit ishte se ai ekonomia përfundimisht do të zgjidhë çdo problem. Sapo të përfundonin së reformuari pronësinë shoqërore dhe publike, të vinin në zbatim privatizimin dhe të nxirrnin fitime për investitorët e huaj dhe sipërmarrësit lokalë, prosperiteti do të lulëzonte. Por reformat neoliberale të nxitura nga BE-ja, FMN-ja dhe Banka Botërore vetëm sa i pasuruan elitat lokale dhe “grabitësit” ndërkombëtarë, duke u plaçkitur shoqërive ballkanike prodhimin industrial, atë bujqësor dhe çdo shkallë pavarësie ekonomike. Ndërsa një pakicë e vogël gëzon një nivel mirëqenieje që lehtësisht mund të rivalizojë atë që kanë më të pasurit në Perëndim, shumica e qytetarëve të Ballkanit jetojnë në realitetin e pagave të ulëta, pensioneve të pamjaftueshme dhe papunësisë së të rinjve, çka ka nxitur emigrimin masiv në Gjermani, Austri apo Irlandë.
Për të vlerësuar situatën aktuale në Ballkan, por edhe në pjesën tjetër të Evropës, duhet të shihen pasojat e plota të dështimit të këtyre tre iluzioneve. Në fund të fundit, shumë nga shpresat për integrimin e Europës u tradhtuan nga vetë BE-ja. Ku është politika post-nacionale e “unitetit në diversitet” dhe modeli social evropian tashmë i harruar? Ku është ai ishulli kantian i arsyes, vlerave dhe mikpritjes; ajo “rruga e tretë” mes kapitalizmit të padrejtë amerikan dhe atij brutal kinez?
Ajo për të cilën po bëhemi dëshmitarë sot është kaosi i Brexit-it, shteteve anëtare që shpesh e përbuzin anëtarësinë, mosmarrëveshjeve të ashpra, ndëshkimit të të dobtëve dhe atyre në borxhe dhe thellimit të ndarjes mes Veriut e Jugut, Lindjes e Perëndimit. Dhe, e gjithë kjo është shoqëruar me ngritjen e forcave nacionaliste dhe ksenofobe që premtojnë shpëtimin nga Brukseli dhe nga emigrantët. Si një njeri që u rrit duke parë ballkanizimin e Jugosllavisë, për mua është e vështirë të besoj se një Europë e tillë e ballkanizuar do të mundet ndonjëherë të europianizojë Ballkanin. Paradigma ekzistuese e europianizimit, në fakt, dëmton të ardhmen e vetë BE-së dhe të vendeve që kanë mbetur në pritje në paradhomën e saj. Kjo kërkon ndryshim; dhe pa të, nuk na duhet një sferë kristali për të parë se një Europë krejtësisht tjetër do të lindë, dhe do të jetë një nga ato prej të cilave duhet të kemi frikë. /Al Jazeera – TemA TV/