Arabia Saudite, thuhet të ketë negociuar me një kompani izraelite, për të blerë nga ajo një sistem të avancuar që hakon telefonat celularë, transmeton AA.
Lajmin e ka publikuar e përditshmja izraelite “Haaretz”, e cila në një artikull të saj shkruan se dy përfaqësues të “NSO Group Technologies” me seli në Herzliya të Izraelit, në vitin 2017 kanë takuar në Vjenë zyrtarët sauditë, të cilëve ua kanë promovuar softuerin Pegasus 3.
“Haaretz” thotë se bëhet fjalë për zyrtarët sauditë Abdullah al-Malihi, bashkëpunëtor i princit Turki al Faisal, ish-kreu i shërbimeve sekrete të Mbretërisë së Bashkuar dhe Nasser al-Qahtani, i cili në atë kohë ishte prezantuar si zëvendës-shef i inteligjencës.
Gjatë takimit, thuhet se izraelitët shpalosën një prezantim në PowerPoint mbi aftësitë e sistemit të avancuar kibernetik.
Çështja u bë e ditur për autoritetet, pas një ankese të parashtruar në policinë izraelite nga një njeri i identifikuar si “biznesmen evropian me lidhje në rajonin e Gjirit”.
Autoritetet saudite nuk kanë komentuar akuzën në fjalë, ndërkohë që kompania NSO, nga ana e saj, tha se “gjithçka është në përputhje me ligjin, dhe se produktet e saj përdoren në luftën kundër krimit dhe terrorit”.
Edward Snowden, ish-kontraktues dhe informator i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në SHBA, më herët gjatë muajit, tha se një softuer i prodhuar nga një kompani izraelite për sigurinë kibernetike, është përdorur për të gjurmuar gazetarin e vrarë saudit, Jamal Khashoggi.
Në një adresim në një konferencë në Tel Aviv përmes një linjeje video nga Rusia, Snowden tha se spywari i Pegasus-it, të cilin NSO Group Technologies ua kishte shitur qeverive, është vënë në përdorim për të zbuluar vendndodhjen e kundërshtarëve.
Khashoggi, kolumnist në gazetën “The Washington Post”, u vra më 2 tetor në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
Pas disa javësh mohime për përfshirjen në krim, Arabia Saudite më vonë pranoi se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës, por tha se familja mbretërore saudite nuk kishte njohuri paraprake për ndonjë komplot për vrasjen e gazetarit.
Deri tani, 21 persona, përfshirë oficerë të sigurisë, janë arrestuar në Arabinë Saudite në lidhje me vrasjen.