Ballina Aktualitet Lajme (VIDEO) NGRITJA DHE RËNIA E NIKOLLA GRUEVSKIT

(VIDEO) NGRITJA DHE RËNIA E NIKOLLA GRUEVSKIT

Nga shkëlqimi deri te rënia e Nikolla Gruevskit. Biografia e kryeministrit me jetëgjatësinë më të madhe në Maqedoni, karakterizohet me ngritje të shpejtë, por që tani, në rrezik nga burgu po kërkon azil në shtetin hungarez.

Nikolla Gruevski udhëhoqi partinë nacionaliste VMRO DPMNE prej vitit 2003, ndërsa shtetin prej vitit 2006. Por, në vitin 2016 u detyrua të tërhiqet, pas skandalit me përgjimin masiv që e publikoi opozita, e që nxorri në pah shumë gjëra të pahijshme për ish kryeministrin. Këto biseda ishin gjurmët që pastaj Prokuroria Speciale i shfrytëzoi për ta përndjekur për një sërë veprash kriminale.

Por, derisa dolën “bombat”, jeta politike e Gruevskit ishte tejet e rehatshme. Askush nuk arriti t’ia lëkund pushtetin, por as pasurinë. Gjatë qeverisjes së tij, u mbyll edhe një prej televizioneve më kritike ndaj partisë së tij, që u komentua se Gruevski ishte i gatshëm për gjithçka, vetëm që ta mbajë pushtetin.

Nga viti 1999 deri në vitin 2002, Gruevski ishte ministër i Financave në Qeverinë e Lupço Georgievskit . Pasi në vitin 2002, partia e tij i humbi zgjedhjet parlamentare, ndodhën trazira brenda partisë që detyruan Lubço Georgievskin të japë dorëheqje dhe të formojë partinë e tij të re, VMRO Popullore, por Nikolla Gruevski që erdhi pas tij, arriti të mbajë në parti shumicën e antarësisë. Pas katër vitesh udhëheqje me VMRO-në, Gruevski arriti t’i fitojë zgjedhjet e tij të para në krye të partisë. Në vitin 2006, Gruevski formoi qeverinë e re e cila përbëhej nga ministra kryesisht të rinj. I fitoi edhe zgjedhjet e parakohshme në vitin 2008 dhe bëri koalicion me BDI-në. Gruevski dhe partia e tij I fituan edhe zgjedhjet e vitit 2012 dhe përsëri, bënë koalicion me BDI-në.

Por, pika që nisi tatëposhtën e VMRO-së dhe Gruevskit ishte në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2016, si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinos. Pas protestave disa muajshe të LSDM-së dhe Revolucionit të Larmë, pasi u publikuan bisedat e përgjuara nga përgjimi ilegal, ndodhi Marrëveshja e Përzhinos, në të cilën ndërkombëtarët e bindën Nikolla Gruevskin që të japë dorëheqje dhe kështu u formua Qeveria teknike në krye me Emill Dimitrievin e VMRO-së dhe me disa ministra të LSDM-së. Edhe pse VMRO-ja i fitoi edhe këto zgjedhje, por jo bindshëm sikurse zgjedhjet e mëparshme, mandatari Nikolla Gruevski nuk arriti që të formojë Qeveri, pasi BDI-ja nuk pranoi koalicionin, për shkak të presionit të madh nga votuesit shqiptar që ishin revoltuar nga bisedat e përgjuara. Zoran Zaev arriti të bëjë koalicion me BDI-në dhe formoi Qeverinë së bashku edhe me Aleancën për Shqiptarët, por i mori edhe nënshkrimet e deputetëve të Lëvizjes BESA për të marrë mandatin për formim të Qeverisë.

Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në tetor të vitit 2017, partia e Nikolla Gruevskit VMRO-DPMNE pësoi humbjen më të madhe në historinë e saj. Fitoi vetëm pesë komuna, nga gjithësej 80. Pas këtij debakli, Gruevski dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë VMRO DPMNE. Në kongresin e jashtëzakonshëm që u mbajt më 23 dhjetor të 2016-ës ai u shpall kryetar nderi i Partisë, ndërsa në krye të VMRO-së u zgjodh Hristijan Mickoski.

Por, fama e Nikolla Gruevskti nuk përfundoi me dorëheqjen e tij. Ai ishte në qendër të vëmendjes nga opinioni për një sërë akuzash kriminale që Prokuoria Speciale i ngriti kundër tij. Akuzohej në disa raste që janë në procedurë e sipër si rasti Tanku, TNT, Dhuna në Qendër dhe Titaniku nga të cilat rrezikonte mbi 20 vite burg, por dënimi i parë i erdhi për mercedesin luksoz 600 mijë eurosh. Gruevskin e dënoi gjykatësja Dobrilla Kacarska, me dy vjet burg, dhe dalë ngadalë, gjithë instancat gjyqësore ia mbyllën derën. Gruevski i shfrytëzoi afatet ligjore për të përgatitur dhe ekzekutuar arratisjen. Për shkak të burokracisë, ish kryeministrit i akuzuar dhe dënuar, arriti të arratiset në Hungari, nëpërmjet kanaleve ilegale, pasi nuk ka pasaportë. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://youtu.be/uidmgEPQZl8