Tubimet dhe trazirat e muajit të fundit në të gjithë Francën përfaqësojnë krizën më të madhe të presidencës së Emmanuel Macron dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë ndaj lidershipit francez brenda Bashkimit Europian. Por ndërkohë që Macroni mund të fajësojë vetëm veten për reagimin e popullit, kjo nuk do të thotë që Franca apo Europa do të ishin më mirë pa të.
A janë protestat e jelekverdhëve në të gjithë Francën po aq të rëndësishme sa tubimet masive të majit 1968? Është shumë shpejt për ta thënë këtë. Revolta e ka detyruar presidentin francez Emmanuel Macron të bëjë lëshime të rëndësishme dhe të kushtueshme, por vështirë se ky është një Revolucion i ri Francez. Edhe pse disa demonstrues qartazi duan të rikthejnë në mendje “bëmat” e paraardhësve të tyre kundër monarkut të tyre (të zgjedhur), nuk jemi në korrik të vitit 1789.
Kryengritja e majit 1968, që ia vlen ta kujtojmë, ishte nxitur kryesisht nga një brez i mërzitur studentësh që jetonin në kulmin e prosperitetit francez të pasluftës. Edhe pse ekonomia ishte në punësim të plotë, ata u rebeluan kundër status quos në emër të utopive të dyshimta të frymëzuara nga Kuba e Fidel Castros dhe Kina e Maos. Atyre iu bashkuan sindikata të mirëorganizuara që e ndihmuan lëvizjen të arrinte një masë kritike, të paktën përkohësisht.
Ndryshimi midis atëherë dhe tani është se ata që dalin në rrugë për të protestuar kundër rritjes së propozuar të taksës së karburantit nga Macron nuk janë të frymëzuar nga utopia, por nga dëshpërimi. Në këtë kuptim, kryengritja e jelekverdhëve nuk është ndryshe nga një Brexit francez, në kuptimin që arrin në një pikë sa situata përkeqësohet për vetë ata. Ndërsa britanikët shkuan drejt kutive të votimit, francezët po përdorin barrikada, marshime dhe po qëllojnë me gurë.
Në secilin rast, të gjithë duket se po humbasin. Ashtu si shkëputja e Britanisë nga Bashkimi Europian do t’i lërë të dyja palët dobësuara, trazirat e brendshme të Francës mund të ulin integrimin europian. Nën drejtimin e Macronit, Franca duhej ta mbante gjallë flakën e demokracisë liberale në një botë të errësuar nga Amerika e Donald Trumpit, Hungaria e Viktor Orbanit dhe Italia e Matteo Salvinit. Me rënien e lidershipit të kancelares gjermane Angela Merkel, Franca dukej si një ishull shprese në një det dëshpërimi Perëndimor. Është e qartë që nuk është më kështu.
Në mbulimin mediatik britanik dhe amerikan të protestave të jelekverdhëve ndihet një shkallë schadenfreude. Kombi krenar me liderin arrogant është hedhur përtokë; nga kjo na del se francezët nuk janë ndryshe nga të tjerët.
Revolta e jelekverdhëve është nxitur pjesërisht nga gabimet e Macronit. Në ndjekjen e reformave radikale, por të domosdoshme, ai ka llogaritur rritjen më të fortë ekonomike për ta justifikuar atë. Por rritja nuk është materializuar dhe kjo e bën taksën ekologjike të karburantit të pamundur për t’u pranuar nga francezët e shtresës së mesme dhe të ulët.
Duke i përkeqësuar akoma më shumë gjërat, Macron e nisi axhendën e tij të reformave duke ulur taksën e pasurisë në Francë, një lëvizje që bëri që ai të fitonte nofkën “Presidenti i të pasurve”. Megjithatë, për shkak se Macron ishte shkëputur nga “corps intermediaires” – përfshirë kryetarët e bashkive, përfaqësuesit rajonalë dhe sindikatat – atij iu desh shumë kohë për të parë se zemërimi në krahinat e Francës, në qytetet e vogla dhe zonat rurale sa vinte e po shtohej akoma më shumë. Duke e rrethuar veten nga një oborr teknokratësh të rinj. Macroni humbi kontaktin me atë që ai e quan “populli i tij” (një formulim tepër i shurdhët në vetvete).
Ky është një problem i vjetër me meritokracinë franceze. Kur jepja mësim në Shkollën Kombëtare të Administratës në vitet 1980, pashë “disa të lumturve” që kishin kaluar provimet tepër përzgjedhëse të pranimit në shkollë të shpërbleheshin me makina dhe shoferë personalë. Imagjinoni të marrësh një trajtim të tillë kur je thjesht një praktikant 20-vjeçar në një nga Prefekturat e Francës. Nuk është habi që ata punojnë njësoj sikur shteti të ishte në shërbim të tyre dhe jo anasjelltas.
Vetë personaliteti i Macronit mund të ketë qenë gjithashtu një faktor vendimtar në këtë krizë të parë të madhe të presidencës së tij. Macron është një person jashtëzakonisht inteligjent, energjik dhe i guximshëm, por duket se i mungon pjekuria dhe përulësia që vijnë me moshën. Ai ishte aq i etur për t’i rikthyer presidencës franceze dinjitetin që kishte humbur nën drejtimin e dy paraardhësve të tij – Nicolas Sarkozy dhe François Hollande – saqë e teproi shumë në drejtimin e kundërt.
Nëse dëshiron t’i bësh përshtypje presidenti rus Vladimir Putin ose personaliteteve të tjera të huaja, pritja e tyre në një ambient të mrekullueshëm siç është Versaja do të ishte tepër efikase. Por argëtimi në historinë monarkike të vendit mund të jetë e rrezikshme. Shumë nga ata që votuan për Macronin mund të kenë shpresuar për një Bonapart të shekullit të XXI. Por tani ata mund ta mendojnë Macronin më shumë si Luigjin e XVI, mbretin që pagoi me jetën e tij gabimet që bënë paraardhësit e tij.
A mundet Macroni të mësojë nga gabimet e tij dhe të rifitojë besimin e votuesve francezë që janë ndier të poshtëruar nga ai? Nuk do të jetë e lehtë, por nuk është e pamundur. Sidoqoftë, nuk duhet t’i hiqet vizë para kohe një politikani me një vizion dhe një ambicie të tillë.
Në vend që të gëzohen me ndëshkimin e një lideri të guximshëm, ata që besojnë ende te demokracia duhet të mendojnë se ç‘do të nënkuptonte nëse Macroni dështon. E tashmja e Italisë do të bë
hej e ardhmja e Francës dhe populistët që vijnë në pushtet në Paris ndoshta do t’i jepnin fund të gjithë projektit europian.
Ky nuk është një rezultat do ta dëshironte ndokush. Për më mirë apo më keq, Macroni ende përfaqëson mburojën më të mirë të demokracisë europiane kundër një vale nacionalizmi populist.