Ministri i Energjisë në Katar, Saad Sherida al-Kaabi, ka thënë se shteti i tij do të largohet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), në fund të këtij viti.
Kaabi ka bërë të ditur këtë njoftim më 3 dhjetor në një konferencë për media në kryeqytetin e Dohas, Katar, duke thënë se ky vendim do të fillojë së zbatuari nga janari i vitit 2019.
Kaabi ka thënë se OPEC-u është njoftuar për këtë vendim këtë të hënë, para se të bëhej vendimi publik.
Katari është eksportuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm natyror.
OPEC, organizatë ndërqeveritare me 15 shtete pjesëmarrëse është përgjegjëse për prodhimin e gati 44 për qind të naftës në botë dhe 81 për qind të rezervave në naftës në glob.
Misioni i saj është që të “koordinojë dhe krijojë unitet mes shteteve anëtare për politikat e naftës, si dhe të sigurojë stabilitet në tregjet e naftës”, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me konsumatorët globalë.
Tërheqja e Katarit nga OPEC-u vjen në kohën e marrëdhënieve të tensionuara me Arabinë Saudite, meqë të dyja shtetet garojnë për ndikim rajonal.
Në qershor të vitit 2017, koalicioni i udhëhequr nga sauditët, duke përfshirë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Egjiptin kanë njoftuar se do të ndërprejnë marrëdhëniet diplomatike me Katarin./R.E.L