John Bolton, këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump më 8 janar do të realizojë kontakte me autoritetet turke në Ankara.
Pas deklaratës që erdhi nga më 19 dhjetor nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, ndërmjet Turqisë dhe ShBA-së filloi një trafik i ngjeshur diplomatik mbi koordinimin e çështjeve të sigurisë në rajon.
Në kuadër të kësaj këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Bolton, pas vizitës në Izrael pritet që më 7 janar të mbërrijë në kryeqytetin turk, Ankara. Më 8 janar Bolton do të realizojë takime me zyrtarët turq dhe pritet që brenda të njëjtës ditë të largohet nga Turqia.
Në një deklaratë që kishte bërë nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter pas vendimit për tërheqjen e ShBA-së nga Siria, Bolton kishte thënë: “Do të bisedojmë për hapin e radhës që do të ndërmarrin në luftën kundër DAESH-it dhe për problemet e sigurisë, me të cilat ballafaqohen partnerët me aleatët tanë në rajon”.
Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin në një vlerësim që kishte bërë më 24 dhjetor mbi vendimin e ShBA-së për t’u tërhequr nga Siria, kishte thënë: “Presidenti Rexhep Tajip Erdoan dhe Presidenti i ShBA-së, Donald Trump kanë rënë dakord për fillimin me shpejtësi të koordinimit në këtë çështje”.
Në kontaktet e Bolton-it në Ankara parashikohet që të bëhet koordinimi ushtarak në lidhje me planin e tërheqjes së ShBA-së (nga Siria) si dhe parashikohet që të diskutohen të gjitha masat që do të merren në planin ushtarak dhe atë të inteligjencës, me qëllim për të mos lënë vend për vakum në terren.
Kurse pala turke në këto takime pritet që të vërë theksin në përpjekjet e Turqisë me organizatat terroriste që kërcënojnë sigurinë e saj kombëtare, me në krye organizatat DAESH dhe YPG/PKK, si dhe rëndësinë që i kushton Ankaraja ruajtjes së tërësisë territoriale dhe strukturës unitare të Sirisë.