Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në ditën e dytë të vizitës në Japoni, u takua me Yoshihiro Seki, ministër Shtetëror për Ekonomi, Tregti dhe Industri, me të cilin diskutuan përkrahjen e Qeverisë japoneze për projektin e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.
Seki potencoi se ministria që ai drejton është duke e shikuar me kujdes zhvillimin e projektit dhe premtoi përkrahjen e plotë duke kuptuar situatën që gjendet Kosova ku burim të vetëm energjetik ka thëngjillin, transmeton kp.
Për më tepër, në këtë takim u diskutua gjithashtu për forumin biznesor që do të mbahet në muajin shkurt në Kosovë në mes bizneseve vendore dhe atyre nga Japonia, forum ky i përkrahur edhe nga Qeveria Japoneze.
Me këtë rast, Lluka e informoi homologun e tij për përfitimet e kompanive japoneze nëse operojnë në Kosovë ku synim parësor kanë eksportin e produkteve në tregun evropian.
Ndër të tjera, Lluka potencoi që fuqia e lirë punëtore, tatimet e ulëta në fitim dhe në të ardhura personale, taksa prej 0% për dividendë, pozicioni gjeografik i Kosovës që jep qasje të lehtë në tregun e BE, marrëveshja për tregti me BE e cila hap dyert në treg prej 600 milionë banorë dhe potenciali për të shfrytëzuar tokë publike deri në 99 vite ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për investitorët japonezë që dëshiron të targetojë tregun evropian.
Gjatë ditës së sotme, delegacioni nga Kosova u prit në takime të veçanta gjithashtu nga Tadashi Maeda, guvernatorë dhe drejtor i përgjithshëm i Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC) dhe Masafumi Nakada, president i Agjencisë shtetërore për sigurimin e eksporteve dhe investimeve (NEXI) me të cilët u diskutua mbështetja financiare në projektin e Kosovës së Re.
Qëllimi i takimit ishte për t’i informuar këto institucione të rëndësishme rreth nevojave dhe sfidave të Kosovës për sektorin energjetik si dhe për të kërkuar mbështetje për projekte tjera në fushën e infrastrukturës.
Ministri Lluka kërkoi mbështetjen financiare në projektet për menaxhimin e mbeturinave, riciklimin e tyre, gjenerimin e energjisë elektrike dhe termike nga mbeturinat, projekt ky që do të rregullonte situatën e mbeturinave, dhe qytetarët do të përfitonin energji të pastër me potencial të zgjerimit të kapaciteteve të ngrohtoreve të qyteteve më të vogla.
Projekti zgjoi interesim te guvernatori Maeda ku edhe u pajtuan që projekti të vazhdojë të zhvillohet tutje.