Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, e ka quajtur ‘historik’ votimin e nesërm të tri ligjeve me të cilat Kuvendi i Kosovës do ta nisë procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Në një deklaratë të postuar në Twitter, Kosnett përsëriti se SHBA-ja do ta mbështesë FSK-në në zhvillimin e saj profesional.
“Votimi i nesërm për tranzicionin e FSK-së është historik për Kosovën. SHBA do ta mbështesë zhvillimin profesional dhe evolucionin organizativ të FSK-së, e cila duhet të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar karakterin shumetnik të vendit dhe përkushtimin e popullit të Kosovës për paqe”, tha Kosnett.