Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ripohuar mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta vazhdojë bashkërenditjen e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe për t’u angazhuar në punën afruese në terren me komunitetet pakica tani dhe gjatë tërë procesit të gjatë shumëvjeçar. Presim që do të vazhdojnë aranzhimet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Gjermania ka thënë se miratimi i ligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri nuk bën të shfrytëzohet për përshkallëzim dhune dhe ka ftuar Serbinë e Kosovën për përmbajtje.
“Kosova, si shtet sovran, ka të drejtë t’i formojë forcat e veta të rregullta e të armatosura”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Rainer Breul.
Pas miratimit të pakos së ligjeve për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, kundër këtij veprimi ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai ka shprehur keqardhje që ky vendim është marrë, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO-ja.
“Ndërkohë që tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në parim një çështje që Kosova duhet ta vendosë. Ne e kemi bërë të qartë se ky veprim është i gabuar. NATO-ja mbështet zhvillimin e FSK-së nën mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Stoltenbergu.
Edhe Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, ka deklaruar që BE-ja e ndan mendimin e njëjtë me NATO-n, që mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndërrohet vetëm përmes procesit gjithëpërfshirës dhe gradual, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë t’i mbajë obligimet e veta që dalin nga Marrëveshja e Parë, e cila është arritur në prill të vitit 2013 në Bruksel, si dhe aranzhimeve të saj të sigurisë”, ka theksuar Kocijançiq.
Për votimin e pakos së ligjeve të Ushtrisë në Parlamentin e Kosovës kanë shkruar edhe mediat ndërkombëtare.
Reutersi shkruan se miratimi në Parlament u bë një javë pasi Serbia paralajmëroi se një lëvizje e tillë mund të nxisë intervenim ushtarak të Beogradit.
BBC-ja, ndërkaq, ia ka kushtuar një shkrim të gjatë votimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe rrugëtimit të shtetit të ri evropian deri në krijimin e Ushtrisë.
Në artikullin e BBC-së shkruan se rrugëtimi euro-atlantik i Kosovës është vënë në dyshim gjatë javëve të fundit.
Mediat amerikane shkruajnë se si miratimi i pakove të ligjeve për shndërrimin e FSK-së, alarmoi kundërshtarët e shtetit të Kosovës.
Ndërkohë, rrjetet sociale janë shfrytëzuar me të madhe sot edhe nga liderët e Kosovës të cilët, pavarësisht që folën në Kuvend e jashtë tij, zgjodhën t’u drejtohen ndjekësve të tyre edhe online.
Presidenti Thaçi tha se Ushtria e Kosovës është nderi, siguria dhe mirëqenia e Republikës.
Reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj në Facebook ishte shumë i thjeshtë, por domethënës. Ai ia dërgoi një porosi babait të tij të ndjerë, duke i thënë: ‘Plak, u bë ushtria’.
Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, shumë shkurt ka shkruar se uniforma e ushtrisë do të jetë uniformë nderi dhe krenarie.
Isa Mustafa, kryetari i LDK-së, uroi qytetarët, duke thënë se themelimi i ushtrisë ishte nevojë dhe e drejtë e shtetit.
Kurse, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, tha se meritorë për formimin e ushtrisë janë të gjithë ata që nuk janë gjallë.