Protesta e studentëve ka hyrë në javën e dytë, madje me një përshkallëzim dramatik. Protesta është kthyer në një model politik-social në vendin tonë, por po shihet një lloj fryme veprimi duke refuzuar institucionet e dala në mënyrë të ligjshme, e duke rrezikuar kështu të ndezë fitilin dhe të hedhë në erë sistemin në vend.
Studentët e nisën me 4 kërkesa të shkruara në një letër me shkrim dore, tejet të thjeshta, por që u transformuan me kalimin e ditëve nga 4 në 5, e më në fund me një listë prej 8 kërkesash të shpallur që prej të dielës.
Ndërkohë, 3 janë forcat politike që po përpiqen të përfitojnë dhe të kapitalizojnë nga kjo protestë studentore, e cila u tensionua ditën e djeshme, pasi pedagogu i Departamentit të Biologjisë në UT, Jani Marka nuk u lejua të flasë përpara turmës.
Profesori Marka ka shpjeguar në studion e “Open” në Top Channel se nuk është dëbuar kurrsesi nga protesta dhe se atje ka qëndruar deri pasditen e kësaj të hëne, por vetëm nuk u lejua të fliste lirshëm.
Ai thotë se kanë 4 vite e 7 ditë që si lëvizje kërkojnë vendimmarrje për kauzën e tyre. Në momentin e së dielës, kur atij iu mohua fjala, Marka tentoi të kërkonte lirimin e hapësirës.
Sipas tij, ishin militantë dhe huliganë të forumeve të partive, që e penguan atë, ndërsa thekson se protesta i ka kaluar pritshmëritë dhe ia ka futur kryeministrit Rama “këmbët në një këpucë”.
“Nuk ishim të përgatitur që do të ndodhte diçka kaq e madhe në atë protestë. Kemi bërë edhe protesta të tjera, por këtë herë, sidomos të shtunën e të dielën ndryshoi situata. Ndërruan skenë, pa foni qendrore, me ndryshim parullash, duke nxitur dyshimet se në fundjavë është manipuluar protesta. Sigurisht që fundjavave studentët largohen, pasi në Tiranë vijnë shumë vetë nga rrethet. Edhe pse ne kemi nxjerrë më herët 1.000 studentë në protestë, nuk kemi arritur t’ia vëmë kryeministrit këmbët në një këpucë. Ndërsa kësaj here ndodhi diçka spontane, por të papërgatitur se do të ndodhte një gjë kaq serioze”, tha Marka.
Lidhur me incidentin me pedagogun Marka, ka folur edhe studenti i Fakultetit të Drejtësisë, Agred Tafaj.
“Incidenti ishte pikë deklikate, po ndodhi një gabim edhe nga një profesor që ka një staturë. Profesori kur tha brenda nesh duke drejtuar me gisht një rreth aty afërm u krijua dhe indicia. Kur profesori tha është një protestë e dhunshme u masivizua çdo gjë. Ne nuk jemi as me lëvizje, me asgjë. Jemi studentë që po mbrojmë të drejtat tona. Ne së bashku bëmë thirrje që nuk duam dhunë, është protestë paqësore. Ne ishim mjaft të qetë e të qartë. Nuk donim të merreshim me ju. Figura e pedagogut është e nderuar”, sqaroi studenti në “Open”.