Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se nuk ka mungesë të produkteve në Kosovë, pavarësisht se po bëhet një muaj prej vënies së taksës për produktet serbe.
Sipas tij ka pasur tendencë që të krijohet panik e mungesës së produkteve, rrjedhimisht edhe ngritje të çmimeve, çka sipas tij nuk është arrit, njofton Klan Kosova.
Por që Rukiqi ka paralajmëruar se Serbia është duke provuar që të gjejë zgjidhje përmes shteteve fqinje që të fusë produktet e saj në tregun kosovar.
“Rreziku që shoh unë që duhet pasur kujdes është se ka tendenca në Maqedoni që produktet serbe të vendosen atje të paketohen, ripaketohen dhe të risksportohen në Kosovë. Është rrugë alternative e shtetit serb”, ka thënë Rukiqi.
Kreu u OEK-ut, ka thënë se ambasadat e huaja në Kosovë janë të interesuara që vendet e tyre të eksportojnë produktet e tyre në vend.
“Ajo që kam vërejtur te komunikimet me disa ambasada, ata nuk inkurajojnë kompanitë e veta që të ushtrojnë presion sepse edhe ata janë të interesuar të bëjnë tregti me Kosovën. Disa e thonë troç se “jemi që t’i mbrojmë ose jemi promotor të investimeve dhe të tregtisë” të vendeve përkatëse. Në rastin e Kosovës nuk kanë ushtruar presion duke u bazuar në këtë logjikë, s’ka arsye për shqetësim sepse të gjitha produktet nga Serbia janë të zëvendësueshme”.