Përmes një lidhjeje direkte me tre të rinj nga fakultetet e ndryshme të Universitetit të Tiranës, si dhe me organizatoren e protestës së studentëve për të rinjtë jashtë Shqipërisë, moderatori Adi Krasta bisedoi me ta lidhur me dritëhijet dhe të ardhmen e protestës në Tiranë.
Të pyetur nga moderatori i emisionit ‘A Show’ në “News24”, Adi Krasta, se pse ka patur një shqetësim që kjo protestë me gjasa mund të ketë mbetur një protestë e teknikaliteteve dhe jo një protestë e mirëfillitë politike, ata dhanë idetë dhe këndvështrimet e tyre sa i përket kësaj ngjarjeje që ka shoqëruar vendin për më shumë se trembëdhjetë ditë me rradhë.
Sipas Jurgen Zmijanit, student në Universitetin e Mjekësisë, protesta në vetvete është një protestë e pastër politike, e cila që në fillim të saj, kur është kërkuar zbatimi i 8 pikave për ndryshimin e VKM-së së Ligjit për Arsimin e Lartë, ka rrjedhur si një akt politik i ndërmarrë nga vetë studentët.
“Studentët nuk janë ngritur për problematikat e brendshme organike të institucioneve të larta të arsimit. Studentët janë ngritur dhe kanë drejtuar vëmendjen tek këto kërkesa, si vullnet politik i njëtrajtshëm kundrejt palës qeverisëse dhe Ministrisë së Arsimit”,- u shpreh Zmijani në lidhjen e tij me moderatorin në studio.
Sakaq, studentja Bora Mema u shpreh se nëse kërkesat s’pranohen, protestat dhe bojkoti i Universiteteve do vijojë.